Kukësi s’fal, i bën presion kreut. Shensoji: Duhej të fitonim 7-0, shpërdoruam shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2013 | 12:49


Kukësi s’fal, i bën presion kreut. Shensoji: Duhej të fitonim 7-0, shpërdoruam shumë

Bylis-Teuta 2-2KUKËSI-LUSHNJA 1-0
Goli: Smajli 67’
KUKËSI: Halili, Brahja, Malota, Smajli, Hallaçi, Musolli (Dragoi 85’), Allmuça, Progni, Hoxha (Bratiç 80’), Cikalleshi (Shameti 83’), Popoviç. Trajner: Naxhi Shensoji.
LUSHNJA: Spaho, Sula, Bizhyti, Ndoni (Sulo 87’), Gjyla, Mihani, Korreshi, Topi, Tiodoroviç, Trashi, Canka (Dervishi 87’). Trajner: Artan Bano.
KARTONË TË VERDHË: Spaho 62’, Bizhyti 85
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan)
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
GJYQTARET: Blerim Ziri/ E.Veseli dhe Sh.Ziri (Fushë-Krujë)

MINUTAT
7’ Progni gjuan fort, grushton Spaho.
20’ Allmuça e dërgon drejt portës pasin e Popoviçit, por Spaho pret.
22’ Hoxha nxjerr të lirë Cikalleshin, por ky i fundit nuk gjuan fort, ishte më pranë golit se kurrë më parë.
24’ Tri gjuajtje radhazi të kuksianëve nuk përfundojnë në rrjetë.
25’ Progni përballë portierit Spaho gjuan mbi traversë. 28’ Canka gjuan dobët në drejtim të portës, në shënjestrimin e parë të lushnjarëve drejt rrjetës së Halilit.
33’ Cikalleshi gjuan fort nga jashtë zone, grushton Spaho.
48’ Pasi Cikalleshi humb një rast, Kukësi ekzekuton tri goditje këndi radhazi, por pa rezultat.
60’ Musolli gjuan nga larg jashtë kuadratit të portës lushnjare.
67’ Smajli i vëmendshëm gjen portën, pas një krosimi të Malotës dhe një devijimi të Prognit, 1-0.
81’ Topi për Lushnjën, bën gjuajtjen më të fortë nga larg, por Halili eviton golin.
85’ Dëmtohet rëndë Musolli, Bizhyti merr të verdhë.
87’ Dragoi i sapofutur në lojë bën një inkursion të shpejtë në krahun e majtë të sulmit, futet në zonë, aty një nga mbrojtësit lushnjarë e prek topin me dorë, por arbitri vijon lojën. Protestat e kuksianëve janë pa rezultat.

Kukësi merr tri pikë me një gol të shënuar dhe me një mori rastesh të humbura. Kjo ndeshje pa më të voglën mëdyshje mund të konsiderohet si një festival rastesh të humbura për kuksianët, pasi kurrë më parë në këtë sezon ekipi nuk kishte prodhuar kaq raste para portës. Kronika e lojës flet për 13 raste në pjesën e parë dhe diçka më pak në të dytën për vendësit, ndërkohë që lushnjarët kanë goditur vetëm dy herë portën e Halilit. Reshjet e shiut që kanë vijuar gjatë gjithë kohës nuk e kanë prishur ritmin e lojës, sepse tapeti artificial i fushës së Kukësit e përballon ujin, ndërkohë që rreth 3 mijë tifozë kanë ndjekur takimin.
Ndeshja – Gjuajtja e fortë në portë dhe rasti për gol vjen në minutën e shtatë, kur Progni ka shigjetuar portën e Spahos, por ky i fundit ka grushtuar. Më parë Allmuça, i cili mori një top nga Hallaçi, kishte tentuar, por pa rezultat. Dy minuta më vonë Musolli, më i miri në fushë, gjuan nga 25 metra larg tokazi dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Spahos. Në minutat në vijim, Kukësi duket se ka një uri të paparë për të shënuar, ndërsa Lushnja mbrohet dhe nuk del fare për “vizitë” nga porta kundërshtare. Në minutën e 12-të Hoxha fut një top nga krahu i majtë në zonë, aty Popoviç nuk arrin të godasë fare pranë portës së Spahos. Tetë minuta më vonë është Allmuça që gjuan fort në hyrje të zonës dhe sërish Spaho largon topin. Në minutën e 22-të Hoxha nxjerr të lirë pranë portës Cikalleshin, i cili në vend që të godasë, e dërgon topin në duart e portierit lushnjar. Pas dy minutave sërish breshëri gjuajtjesh nga Progni, Cikalleshi e në fund Smajli, por ende goli nuk del. Edhe minutat në vijim flasin tërësisht për Kukësin. Para përfundimit të pjesës së parë, mbrojtësi Ndoni për pak sa nuk shënon autogol në portën e tij. I ndikuar edhe nga sulmi i Kukësit, ai e kthen topin prapa te Spaho.
Goli – Rrebeshi i shiut shoqërohet edhe me rrebeshin e sulmit të Kukësit në kërkim të golit. Cikalleshi rrezikon me një gjuajtje nga distanca dhe më pas vijnë tri goditje këndi radhazi, të cilat fatkeqësisht për vendësit nuk prodhojnë asgjë. Trajneri Shensoji në pushim ka dhënë porosi të qarta për saktësi në konkretizimin e rasteve para portës, por goli akoma nuk vjen. Në pesë minutat e dyta kemi një organizim të Lushnjës dhe një lëshim loje për Kukësin, por Musolli në minutën e 15-të të pjesës së dytë godet fort nga jashtë zone, mirepo Spaho i thotë përsëri “jo”. Ndërkaq, në një amulli para zone dëmtohet një lojtar i Kukësit. Në këtë moment portieri Spaho lë portën dhe i vërsulet një kundërshtari. Gjyqtari ndëshkon me të verdhë Spahon dhe tensioni ulet pas disa çastesh. Kulmi i lojës vjen në minutën e 67-të: Malota kroson në zonë, aty Progni bën devijimin e duhur për në rrjetë, por goditjen e fundit për gol e jep Smajli. Stadiumi ndizet i tëri dhe lushnjarët të gjendur në disavantazh mundohen me anë të Topit pak minuta më vonë që të barazojnë, por Halili është i vëmendshëm. Sakaq, pesë minuta nga fundi vjen dëmtimi i Musollit, nga ndërhyrja e parregullt e Alban Bizhytit. Gjithsesi mjafton me kaq, dhe Kukësi i afrohet kreut.

MË I MIRI
Musolli ishte një nga më të mirët në fushën e blertë. Ai krijoi volum të madh loje në mesfushë, duke ndihmuar në mjaft raste edhe sulmin. Pesë minuta nga fundi kosovari u detyrua të dilte i dëmtuar. Mjekët thanë se kishte pasur dëmtim në kavilje dhe që sot pritet ekzaminimi dhe diagnoza e saktë. Sakaq ra në sy për Kukësin edhe loja e Hoxhës, Hallaçit dhe Prognit.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi lushnjar Mikel Canka jo vetëm që nuk arriti te goli, por dje ishte shumë larg portës dhe formës së vet më të mirë. Ai, edhe për efekt të mbrojtjes kuksiane, doli i humbur në shumë dyluftime dhe nuk arriti ta rrezikojë asnjëherë portën e Halilit. Dobët edhe mesfusha e Lushnjës, e cila pa shumë nga porta e Halilit.

“Duhej të fitonim 7-0, shpërdoruam shumë”
Trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoji, edhe pse mori 3 pikët, përsëri ka qenë i pakënaqur nga loja e të tijve. Kjo për faktin se, sipas teknikut, me rastet e krijuara, Kukësi do duhej të kishte fituar të paktën 7 me 0 ndaj Lushnjës. Megjithatë, ai thekson se skuadra ka gjetur ritmin e duhur dhe po shkon drejt kreut të renditjes. “Më lumturojnë tri pikët dhe loja, por jo rastet e humbura. Ne me rastet që patëm mund të kishim fituar 7-0. U humbën të paktën 12 raste të pastra. Loja në pjesën e parë ishte mjaft efikase. Prodhuam shumë lojë, por jo gola. Ndoshta edhe fati nuk ishte me ne. E kam thënë se ditët e mira për Kukësin do të vijnë, e në fakt ato po shihen përditë. Kemi tri fitore radhazi. Me trajnerin e parë ekipi kishte 7 pikë në gjashtë ndeshje, ndërkohë që me mua ka 11 pikë në 6 ndeshje. Ndryshimi po vjen”, – ka deklaruar Shensoji.

Bano akuzon: Goli ishte i parregullt
Trajneri i Lushnjës ka dalë i pakënaqur nga loja e skuadrës së tij në fushën e Kukësit, por sërish e ka gjetur fajtorin. Pikë së pari, ai vë në dukje faktin që fusha sintetike nuk i ka ndihmuar aspak të tijtë, plus edhe mungesat e shumta që ka pasur për këtë ndeshje. Mirëpo në fund, Bano ka pasur pretendime edhe për golin e vetëm të takimit, që sipas tij ishte në pozicion jashtë loje. “E dinim që na priste një ndeshje e vështirë përballë një ekipi mjaft të mirë, të organizuar dhe të mbështetur nga të gjitha anët. Ndoshta fusha sintetike, ndryshe nga ajo ku luajmë e stërvitemi ne, pati ndikim. Kishim mangësi në formacion. Ne kemi 14 lojtarë për lojë dhe mungesat bien në sy menjëherë. Plus që edhe goli ishte në një pozicion jashtë loje, por tashmë sfida ka mbaruar dhe asgjë nuk ndryshon. Ne kemi një ekip me të cilin do mundohemi të qëndrojmë në Superligë, dhe besoj se do t’ia arrijmë”, – tha trajneri i Lushnjës, Artan Bano.

“E merituam, tani mundim Vllazninë”
Protagonisti i ndeshjes, autori i golit të vetëm, Dritan Smajli, nuk e ka fshehur gëzimin e fitores. Madje ai ka shkuar edhe më tej, kur ka kërkuar që skuadra të mobilizohet dhe të fitojë edhe ndaj Vllaznisë në takimin e radhës në kampionat. “E merituam fitoren. Bëmë gjithë atë lojë, por golat munguan. Edhe pse rezultat i ngushtë, tri pikët janë marrë dhe loja e ekipit është përmirësuar. Ndërkaq po rikthehet besimi te tifozeria jonë, e cila po na mbështet maksimalisht. Tani duhet të mendojmë për Vllazninë dhe për 3 pikët që duhet të marrim atje”, – ka thënë Smajli.
JONUZ HALLAÇI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/