Kukësi reagon ndaj Partizanit: Po bëni presion para ndeshjes direkte, shikoni penalltinë e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2017 | 13:12

Kukësi reagon ndaj Partizanit: Po bëni presion para ndeshjes direkte, shikoni penalltinë e derbit

Klubi i Kukësit ka reaguar ndaj deklaratës së drejtorit sportiv të Partizanit, Edmond Haxhia, për “Panorama Sport” ku ky i fundit akuzonte gjyqtarin e ndeshjes Kukësi-Laçi, Kridens Meta, se kishte favorizuar verilindorët në prag të takimit direkt mes kryesuesve në javën e ardhshme.

Kukesi feston

Me anë të një postimi në faqen zyrtare në internet, Kukësi thotë se Partizani po mundohet të ushtrojë presion te arbitrat para përballjes direkte të kësaj jave dhe i fton të kuqtë të krahasojnë penalltinë që fituan në derbin ndaj Tiranës me një rast të Kalesë në ndeshjen ndaj Laçit, ku sipas verilindorëve gjyqtari Meta ka mohuar një penallti.

Reagimi i plotë i Kukësit

“Klubi i Kukësit është i detyruar të reagojë në lidhje me deklaratat e drejtorit të Partizanit, Edmond Haxhija, në të përditshmen “Panorama Sport”, për favorizimin e ekipit verilindor në ndeshjen kundër Laçit. Vëmë re se gjuha e përdorur dhe akuzat e hedhura nuk janë aspak korrekte dhe sigurisht të gabuara.

Kush e ka parë ndeshjen ndërmjet Kukësit dhe Laçit arrin të kuptojë qartë se takimi u fitua me meritë të plotë nga skuadra vendase dhe me  diferenca në nivelin e lojës. Gjithashtu duam të shtojmë se ishte ekipi i Kukësit që u penalizua nga gjyqtari Kridens Meta, pasi nuk akordoi një penallti të pastër për Kalenë, kur u kap brenda zonës nga mbrojtësi Lulaj.

Deklaratat e drejtorit të Partizanit janë me qëllim të qarta prishjen e atmosferës pozitive dhe “fair-play” para ndeshjes me Kukësin. Ata kanë për qëllim të ushtrojnë presion ndaj arbitrave dhe FSHF-së, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë sezonit.

Klubi i Kukësit i fton homologët e tyre që para se të hidhen në sulme të pamatura për ekipin tonë të kthejnë kokën mbrapa dhe të shohin penalltinë e akorduar në favor të tyre në derbin kundër Tiranës, e pamerituar në rastin e Bathës, dhe ta krahasojnë me rastin e Kalesë, në ndeshjen ndaj Laçit, që nuk u dha në mënyrë flagrante nga gjyqtari Meta.

E dimë se presioni i fundit të kampionatit është rritur, por kjo nuk do të thotë që duhet të hidhet baltë mbi punën e madhe dhe djersën e djemve në fushën e lojës. Kukësi është ekipi i vetëm që nuk ka humbur asnjë ndeshje gjatë gjithë kampionatit, duke thyer edhe rekorde. Kjo falë punës së madhe nga presidenti i klubit Safet Gjici e deri te stafi i ekipit.

Duam që atmosfera para ndeshjes me Partizanin të jetë korrekte dhe e qetë, por deklarata të tilla po kërkojnë ta prishin atë. Ne i garantojmë edhe tifozerisë kuksiane se klubi ynë nuk do të bie në batakun e thashethmnajave të tilla që nuk kanë asnjë provë dhe bazë, por janë të shpërndara në ajër. Përkundrazi, do të jemi më të bashkuar se kurrë!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"