Kukësi po hyn në “shina”, Dobin e fusin në telashe të huajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 17:39

Kukësi po hyn në “shina”, Dobin e fusin në telashe të huajt

Në Kukës duan të shfrytëzojnë momentin e mirë që po kalojnë pas fitoreve në Kupë dhe kampionat, të cilat kanë qenë të parat këtë sezon. Me një faktor psikologjik në favorin e tyre, Dobi pret maksimumin nga të tijtë, me shpresën se do të ngjitet më tej në klasifikim dhe do të fusë përfundimisht skuadrën në “shina”.

dobi kukesi

Edhe sa i përket ekipit, nuk paraqiten probleme, përveç sulmuesit Kejdi Daci, i cili vuan ende nga ai dëmtim i pësuar në ndeshjen e Kupës ndaj Labërisë dhe është në dyshim. Me pak fjalë, ndaj Bylisit këtë fundjavë, verilindorët pritet të jenë të plotë, sepse nuk ka as pezullime për arsye kartonësh.

FORMACIONI – Ekipi fitues nuk ndryshon dhe me këtë moto pritet të vazhdojë edhe në ndeshjen e radhës Dobi, i cili ka mbetur i kënaqur nga përballja e fundit ndaj Laçit. Pritet që tekniku të aplikojë sërish skemën me tre mbrojtës, katër mesfushorë dhe tre sulmues, ku i vetëm dhe më i veçuar në majën e sulmit pritet të jetë braziliani Barbosa. Duket se skuadra ka gjetur ekuilibrat me këtë formacion, jo vetëm për faktin që fitoi, por edhe me lojën e zhvilluar.

Në fakt, gjatë javëve të para, edhe nën drejtimin e Gegës, një ndër problemet më kryesore në skuadër ishte edhe ajo e gjetjes së një formacioni ideal, i cili tanimë duket se është gjetur. Kjo, edhe për faktin se me skuadrën janë bashkuar edhe lojtarët që erdhën vonë në merkaton e kësaj vere. I fundit që iu bashkua ishte mauritanezi Abdou Mbark, i cili duket se është integruar menjëherë me ekipin, pasi u aktivizua që në ndeshjen e parë ndaj Laçit.

TË HUAJT – Halli i vetëm i Dobit në këtë ndeshje dhe në vazhdimësi janë pikërisht të huajt. Thuhet kështu, pasi me rregullore nuk lejohen më shumë se pesë të huaj njëkohësisht në fushë dhe trajneri është i detyruar që ndonjë prej tyre të mos e aktivizojë nga minuta e parë. Edhe kur aktivizohet ndonjë prej tyre si zëvendësues, llogaritë duhen bërë mirë, pasi i duhet të heqë një tjetër të huaj. Për shkak të këtij rregulli, disa lojtarë që mund t’i bënin punë Kukësit që nga minuta e parë në fushë janë “djegur” dhe nuk kanë pasur mundësi të luanin për skuadrën, duke e privuar në njëfarë mënyre Dobin për zgjedhjet e tij taktike.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"