Kukësi përfundon fazën në Slloveni, sa shumë dilema për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2021 | 12:54

Kukësi përfundon fazën në Slloveni, sa shumë dilema për formacionin

Kukësi ka përmbyllur fazën përgatitore të zhvilluar në Slloveni, aty ku qëndroi për dy javë me përgatitje intensive për të qenë gati në startin e kampionatit. Verilindorët do të rikthehen ditën e sotme në vendin tonë, ku do të vazhdojnë sërish me përgatitjet. Kjo fazë përgatitoreje mendohej t’i kthjellonte idetë Longos sa i përket ekipit që ka në dispozicion, por sërish mund të thuhet se italiani ka ende dilema në kokën e tij. Gjithsesi, për një pjesë të titullarëve tekniku duket se i ka të qarta idetë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të tjerët, kjo edhe për shkak të situatave në të cilat u ndodh ekipi. Porta dhe mesi i fushës janë të qartë, ndërsa në mbrojtje dhe fazën ofensive është një rebus i vërtetë dhe vështirë të dilet në konkluzione.

kukesi

DILEMAT E LONGOS – Ndryshimet e shumta të bëra gjatë kësaj merkatoje, dhe për më tepër me një trajner të ri, ia bëjnë më të vështirë punën për të gjetur ekuilibrat dhe kolauduar skuadrën. Për këtë arsye, edhe dilemat nuk janë të pakta, por gjithsesi duket se pjesa më e rëndësishme është zgjidhur, ashtu si edhe moduli që pritet të luajë në fushë përgjatë këtij sezoni. Kështu, për ta nisur nga porta, italiani duket se beson më shumë te Tafas, pasi ai është preferuar në miqësoret në Slloveni, i cili është një hap përpara Xhikës për të zënë një vend titullari.

Mbrojtjen thuajse e ka improvizuar tërësisht, kjo edhe për shkak të problemeve që ka pasur në këtë repart. Dragoshi dhe Hida pësuan një dëmtim të lehtë, ndërsa Bytyçi nuk arriti t’i bashkohej dot skuadrës në Slloveni, për shkak të problemeve me pasaportën. Për këtë arsye, në qendër të mbrojtjes u aktivizua Hila së bashku me Lulajn, ndërsa Peposhi nga një mesfushor i avancuar krahu përfundoi mbrojtës i djathtë. Në të majtë, dilemat janë midis Ndrecës dhe Rapos dhe duket një balotazh i tyre sa i përket një vendi titullar në krahun e majtë. Mbrojtja është edhe reparti që italiani do ta ketë të vështirë të gjejë “karar”.

Dilema ka edhe në mesin e fushës, po ashtu edhe në fazën ofensive, ku duket se improvizimet janë më të pakta. Vëllezërit Taipi dhe spanjolli De Lukas duket se janë të preferuarit e Longos dhe nuk priten surpriza, të paktën për momentin, ndonëse Bahtiri është një opsion i rëndësishëm.

Sakaq, në fazën ofensive ka disa alternativa, sidomos nga krahët, pasi në majë Daci për momentin duket i sigurt në këtë pozicion. Janë pesë alternativa për dy vende në krahët e sulmit: Gavazaj, Basha, Kërniç, Feijao dhe Gashi. Diego Longo ka kohë edhe pak ditë për të zgjidhur dilemat dhe qenë gati për ndeshjen e parë të sezonit, atë ndaj Egnatias në transfertë më 11 shtator.

KUK

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"