Kukësi për hakmarrje ndaj Egnatias, Longo ka dilema në mbrojtje dhe sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 10:53


Kukësi për hakmarrje ndaj Egnatias, Longo ka dilema në mbrojtje dhe sulm

Kukësi do të presë të dielën Egnatian në stadiumin e Laçit, me synimin e vetëm për të marrë tri pikët, duke ruajtur në këtë mënyrë ecurinë pozitive në kampionat. Eliminimi nga Kupa, pikërisht kundër rrogozhinasve, ka bërë që verilindorët të kenë “hesape të hapura” me ta. Ekipi i Diego Longos e ka mundur Egnatian në ndeshjen e parë në Rrogozhinë, por gjithsesi tani kanë përballë një skuadër tjetër, e cila ka treguar se jo rastësisht ka marrë rezultate pozitive.

kukesi(1)

STRATEGJIA – Kukësi pritet të mos ndryshojë strategji as në këtë ndeshje, teksa do të jenë ata që do të përpiqen të diktojnë lojën dhe të ushtrojnë presion gjatë gjithë kohës. Gjatë këtyre ditëve që Longo ka pasur në dispozicion të përgatisë skuadrën, i ka mëshuar shumë faktit që ekipi duhet të ushtrojë presionin lart dhe kur të ketë topin në dispozicion të shkojë gradualisht drejt portës kundërshtare.

Nga ana tjetër, italiani ka kërkuar shumë kujdes në momentin që mund të kapen në kundërsulm, pasi e sheh si një minus jo të vogël për skuadrën e tij, e cila zhbalancohet jo pak dhe i krijojnë kundërshtarit mundësinë për të rrezikuar. Në fakt, në disa ndeshje të kampionatit, ky ka qenë një problem që edhe vetë italiani e ka vënë në dukje.

TITULLARËT – Nëse në ndeshjet e para formacioni që Longo hidhte në fushë ishte deri diku i lexueshëm, për shkak edhe të mungesës së alternativave, tani nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Italiani ka ende disa dilema në kokë rreth titullarëve që do të hedhë ndaj Egnatias. Të vetmet reparte që për momentin duken të pandryshuara janë ajo e portës, me Tafasin dhe mesin e fushës, ku duket se treshja De Lukas dhe vëllezërit Gjelbrim dhe Shqiprim Taipi po funksionon më së miri. Për këtë arsye, Longo nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime.

Në mbrojtje dhe në sulm ka paqartësi, pasi vijon balotazhi mes Hilës dhe Bytyçit në qendër, ndërsa Peposhi, Dragoshi dhe Domi po luftojnë për një vend titullari në krahun e djathtë. Sakaq, në sulm dilema e vetme është braziliani Feijao, duke qenë në balotazh me Gavazajn.

Ndërsa Basha me Milunoviçin, duket se do të vijojnë të jetë të paprekshëm, duke parë se në ndeshjet e fundit kanë treguar një formë të mirë dhe kanë shënuar. Në dispozicion të trajnerit është edhe sulmuesi Kejdi Daci.

KUK

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL