Kukësi, pasaporta shqiptare për Izair Eminin dhe Nijaz Lenën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 13, 2016 | 14:55

Kukësi, pasaporta shqiptare për Izair Eminin dhe Nijaz Lenën

Skuadra e Kukësit është një nga ekipet që merkaton e saj e zhvillon kryesisht jashtë vendit dhe lojtarët e huaj kanë qenë gjithmonë në masë të madhe. Në një situatë të tillë, drejtuesit e klubit me të drejtë i kanë bërë një kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit, që shqiptarët e Maqedonisë, Nijaz Lenën dhe Izair Eminin të mos i konsiderojë të huaj edhe pse ata kanë pasaportë maqedonase.

emini2

Një vendim në lidhje me këtë çështje FSHF-ja ka marrë për lojtarët që vijnë nga Kosova. Por, përgjigjja e institucionit të futbollit në vend ka qenë e negative. Emini dhe Lena janë dy lojtarë mjaft të rëndësishëm për formacionin e trajnerit Gjoka dhe ky i fundit ka kërkuar një zgjidhje, duke qenë se ka në planet e tij t’i aktivizojë në formacion.

Mirëpo, duke qenë se numri total i lojtarëve të huaj që lejohet në fushë është katër, krijimi i 11-shes bazë kthehet në vështirësi. Aktualisht, Kukësi ka gjashtë lojtarë në huaj në dispozicion, por mund të afrohet edhe ndonjë tjetër nga merkato.

Zgjidhja

Të gjendur në kushtet e përgjigjes negative nga federata, presidenti Gjici u ka kërkuar vartësve të tij të marrin masa të menjëhershme për t’i pajisur të dy lojtarët me pasaporta shqiptare. “Panorama Sport” mëson se sektori juridik dhe ai i burimeve njerë- zore në klubin e Kukësit po merren me plotësimin e dokumentacionit për futbollistët që do të nisin shumë shpejt procedurat.

nijaz lena

Te Kukësi vendet për të huajt janë të limituara, pasi titullarë të padiskutueshëm në radhët e të huajve janë Pejiç, Karioka, Dvornekoviç, si dhe Lena e Emini. Gjithsesi, duket se klubi ka gjetur zgjidhjen, por ajo do të kërkojë rreth tre muaj kohë pasi procedurat janë pak të gjata.

Lena do ta ketë më të lehtë procesin, pasi ka pesë vite që luan në Kategorinë Superiore dhe ka kaluar pjesën më të madhe të vitit kalendarik në vendin tonë. Një praktikë e tillë nga klubet shqiptare është aplikuar kohët e fundit me lojtarët që kanë ardhur nga trojet shqiptare jashtë kufijve zyrtarë.

SKERDILAID SULOZEQI






www.minuta90.com