Kukësi-Partizani, një udhëkryq për sezonin. Në Elbasan luhet sfida që është shndërruar në derbi vitet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 14:00

Kukësi-Partizani, një udhëkryq për sezonin. Në Elbasan luhet sfida që është shndërruar në derbi vitet e fundit

Kukësi-Partizani është një sfidë që vë përballë dy ekipe të cilat kanë bërë shumë mirë në javët e fundit. Ky duel do të jetë pa diskutim një provë force për të dyja skuadrat. Ecuria fantastike e vitit 2021 e Partizanit, që nuk njeh asnjë humbje, do të vihet në provë përballë verilindorëve, të cilët duan medoemos fitoren për të mos hequr dorë nga kreu i tabelës. Ardhjet në merkaton e janarit i kanë bërë mirë Partizanit, pasi ekipi jo vetëm që është përforcuar, por edhe lojtarët të cilët ishin që nga fillimi i sezonit, e kanë rritur ritmin. Ndërkaq, edhe grupi i lojtarëve të Kukësit duket se ka gjetur harmoninë dhe ka arritur të marrë dhe rezultate pozitive.

auto_auto_Partizani-Kukesi16132978721613481861

DUELI KYÇ – Kukësi-Partizani është një sfidë që mund të vendosë dhe fatet e sezonit për dy ekipet. Në rast se Kukësi triumfon ndaj Partizanit, e ngushton diferencën në dy pikë me “demat” dhe futet në garë edhe për titullin kampion. Pra, fitorja duket si një detyrim për Kukësin. Ndërsa për Partizanin, sfida ndaj verilindorëve është tepër delikate. Dy fitoret radhazi kundër Bylisit dhe Kastriotit e kanë rritur moralin në kampin e kuq, si dhe besimin se mund të parakalojnë Vllazninë në luftën për titullin kampion, por më parë duhet të mposhtin një ekip si ai i Josës, i cili duket se ka gjetur formën e mirë në javët e fundit. 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit për Kukësin, por Partizani vjen me besimin e madh se do të bëjë “tripletë” ndaj verilindorëve pas dy fitoreve në dy fazat e para.

ECURIA – 12 pikë në 5 javët e fundit ka marrë Kukësi, duke mposhtur ekipe si Tirana, Bylisi, Apolonia dhe Skënderbeu. Por, blutë janë mposhtur nga Kastrioti, çka tregon se kanë ende disa luhatje. Ndërsa Partizani ka një ecuri fantastike në këtë vit 2021. “Demat e kuq” kanë luajtur 7 ndeshje deri më tani këtë vit, duke fituar 4 prej tyre dhe duke u ndalur 3 herë në barazim. Të besuarit e Dajës fituan kundër Tiranës në derbi dhe triumfuan në dy transferta të vështira kundër Bylisit dhe Kastriotit. Edhe ndaj Kukësit të kuqtë do të synojnë fitoren, për të shtuar edhe më shumë presionin ndaj Vllaznisë për vendin e parë në renditje.

PËRBALLJET – Dy herë janë përballur deri më tani Kukësi dhe Partizani në Superiore. Në sfidën e fazës së parë, Partizani triumfoi pastër 0-2 ndaj verilindorëve, falë golave të Lukasit dhe Solomonit. Edhe në sfidën e dytë, të kuqtë e Dajës triumfuan, kësaj radhe me shifrat e thella 4-1. Asani, Bitri, Bardhi dhe Mala shënuan për “demat”, ndërsa golin e nderit për Kukësin e realizoi Ibraimi me penallti.

VERONIK ISTREFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"