Kukësi paguan për të luajtur në fushën e tij, Bashkia: Këtë vit u kemi dhënë 100 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 10:33

Kukësi paguan për të luajtur në fushën e tij, Bashkia: Këtë vit u kemi dhënë 100 milionë lekë

Gjendja e tapetit të stadiumit “Zeqir Ymeri”, por edhe vetë impianti, janë kthyer tashmë në problem për vetë futbollistët e Kukësit, por edhe për çdo ekip që luan aty ndaj skuadrës vendëse. Madje, vetë klubi dhe ekipi po humbasin shumë, pasi duket si diçka e thjeshtë dhe normale, por nuk është vetëm aq.

Zeqir Ymeri

Çdo dëmtim që vjen për shkak të fushës lidhet direkt me rezultatet e ekipit. Shembulli konkret janë dëmtimet e tre futbollistëve 9 ditë më parë ndaj Laçit. Rrahman Hallaçi, Enea Koliçi dhe Ylli Shameti u dëmtuan për shkak të tapetit, kur ky i fundit shembi thembrën dhe nuk luajti ndaj Skënderbeut.

Dhe, lidhur me stadiumin dhe fushën, nëse ato do të rikonstruktohen ose jo, ka pasur disa diskutime dhe konflikte midis klubit dhe Bashkisë Kukës, ku drejtues të klubit kanë pohuar disa herë në media se është Bashkia e Kukësit ajo që mban pezull rikonstruksionin apo një rindërtim të mundshëm të fushës dhe stadiumit.

KRYEBASHKIAKU

Është Kryetari i Bashkisë së Kukësit ai që u jep fund këtyre supozimeve. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Bashkim Shehu shprehet qartë se bashkia, si pronare e stadiumit, nuk është bërë absolutisht pengesë, madje nëse qeveria qendrore do financojë për rikonstruktim apo rindërtim e stadiumit, ata ia paraqesin projektin për 24 orë.

“Nuk kemi asnjë kërkesë për të bërë investime në stadium, jemi të gatshëm për 24 orë të bëjmë projektin, mjafton që qeveria ta sponsorizojë”, tha Shehu. Shpeshherë ka pasur akuza nga drejtues të klubit të Kukësit se bashkia i ka rreth 700 milionë lekë borxh klubit, në 5 vite që ekipi militon në Superiore, kryebashkiaku sqaron:

“Aktualisht, si bashki i kemi dhënë këtë vit 10 milionë lekë të rinj ekipit nga të ardhurat e bashkisë (Bashkia e Tiranës i ka dhënë 50 mijë euro klubit të Tiranës). Që do të thotë se Bashkia e Kukësit, edhe pse me një buxhet shumë herë më të vogël, i ka akorduar gati 2-fish në shumë sesa bashkia e kryeqytetit ekipit të saj. Nuk ka mundësi të bëjë më shumë për momentin. Klubi shumësportësh Kukësi nuk ka vetëm futbollin, kemi për të mbështetur edhe sportet e tjera”.

Ndërsa, sa për qiranë prej 4 milionë lekësh të vjetër në muaj që klubi i paguan bashkisë për stadiumin, kryetari i Bashkisë sqaron se ai është minimumi i mundshëm në bazë të VKM-së:

“Stadiumi jepet me qera minimumin e mundshëm që e lejon VKM-ja përkatëse”. Natyrshëm që mbas fitimit të titullit, gjuha mes palëve është zbutur shumë dhe me shumë gjasa, nëse palët do konsultohen, do të gjendet një zgjidhje për rikonstruktimin e plotë të stadiumit, ose të paktën rikonstruktim të pjesshëm duke ndërruar tapetin në janar.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"