“Kukësi nuk shikon rivalët”, Rroca: Rëndësi kanë tre pikët, paraqitja jonë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 12:35

“Kukësi nuk shikon rivalët”, Rroca: Rëndësi kanë tre pikët, paraqitja jonë…

Goli i Eduart Rrocës i dha tri pikët e qetësisë skuadrës së Kukësit, të cilët mes shumë vështirësish fituan ndaj Bylisit në “Elbasan Arena” në shifrat 2-1. Një fitore që e ngjit në vendin e dytë me një pikë më pak sesa Partizani kryesues, i cili do të presë sot Laçin. 

eduart rroca

Për mesfushorin ky ishte goli i dytë, pas atij ndaj Luftëtarit të shënuar po në Elbasan. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Rroca shprehet i lumtur për golin, për më tepër që pati vlerën e tri pikëve. “Ndihem shumë mirë, për më tepër që goli ka një vlerë tri pikë, edhe pse nuk ishte një paraqitje që pritej nga ana jonë. Por, e rëndësishme është që morëm tri pikët dhe kjo na kënaq”, u shpreh fillimisht mesfushori i Kukësit.

LOJA – Në lidhje me paraqitjen që skuadra bëri në fushë në aspektin e lojës, Rroca e pranon se nuk ishte aty ku duhet, duke e vënë pak theksin edhe te problemi i tapetit. Por, është optimist se me cilësitë që kanë lojtarët, do të vijnë edhe lojërat e bukura. “Fusha ishte në një gjendje që nuk na lejonte të luanim futbollin tonë, vinim nga një javë pushimi dhe mund të bjerë ritmi. Por, shumë shpejt do ta shihni edhe Kukësin, ku gjithë lojtarët me cilësitë që kanë, do ta shfaqin veten”, vijoi më tej Eduart Rroca.

eduard rroca

RIVALËT – Sa u përket rivalëve, në ndeshjen midis Partizanit dhe Laçit që luhet sot, për Rrocën nuk ka rëndësi se si del, por nga ana tjetër pret më të mirën në sfidën e ardhshme ndaj bardhebluve të Tiranës. “Rivalët? Shohim vetëm ndeshjet tona dhe nuk na interesojnë rezultatet e asnjërit, sepse janë të gjitha ekipet afër. Në lidhje me ndeshjen e radhës me Tiranën, mund të them se është përballje e vështirë, duke ditur edhe mbështetjen që ata kanë edhe nga tifozët. Por, shpresojmë për më të mirën”, u shpreh për gazetën mesfushori i Kukësit, i cili duket optimist për ecurinë e skuadrës në vazhdim.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"