Kukësi nuk ndalet në merkato, “dhurata” e fundit për Longon është një ish i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 19:52

Kukësi nuk ndalet në merkato, “dhurata” e fundit për Longon është një ish i Skënderbeut

Fitorja ndaj Skënderbeut dhe për më tepër që për më shumë se një pjesë loje, luajtën me një lojtar më pak, tregoi forcën e karakterit të skuadrës së Kukësit, e cila vinte në këtë përballje pas asaj humbjeje dramatike ndaj Dinamos.

kukesi

Verilindorët e kishin jetike fitoren, për të mos humbur terrenin me kryesuesit e Tiranës dhe konsoliduar disi pozicionin që e dërgon në kupat e Europës.

Një fitore që e mban me pikë të barabarta me Laçin në vendin e dytë, ndërkohë që nga skuadra e Longos kërkojnë vazhdimësi, pasi vinte në këtë ndeshje pas një barazimi dhe një humbjeje.

BINDIN AFRIMET – E gjithë vëmendja në ndeshjen ndaj Skënderbeut, përveç arritjes së fitores, ishte edhe te sjellja në fushë e afrimeve të reja si Musta, Gligorov dhe Shkurtaj, të cilët erdhën vetëm ditët e fundit me verilindorët.

Longo nuk ishte i kënaqur me faktin që u afruan kaq vonë, por pas kësaj ndeshjeje mund të thuhet se janë integruar shumë shpejt me ekipin.

Musta dhe Gligorov patën në këmbët e tyre 90 minuta të plota, duke fituar menjëherë besimin e Longos, ndërsa Shkurtajt i mjaftoi vetëm një minutë për të shënuar dhe dhënë tri pikët skuadrës.

Pra, edhe pse në një ndeshje të vetme, afrimet e kësaj merkatoje janari mund të thuhet se bindën në start dhe iu përshtatën shumë shpejt skemave të Longos, i cili duhet thënë se zhvillon një futboll që kërkon pak kohë adaptimi nga lojtarët që afrohen rishtas.

PËLLUMBI – Pritet që të shkojë në katër numri i lojtarëve të afruar te Kukësi në këtë merkato janari, pasi edhe ish-lojtari i Skënderbeut, Jorgo Pëllumbi, mund të konsiderohet një lojtar i verilindorëve.

pellumbi

21-vjeçari do të vijë në formën e huazimit te kuksianët nga ekipi kroat i NK Varazdin, për shkak edhe të mungesës së hapësirave në këtë skuadër.

Mbrojtësi i Shpresave pritet të konsolidojë akoma edhe më shumë repartin e prapavijës te Kukësi dhe më në fund Longo të mos jetë më i detyruar të bëjë eksperimente dhe lëvizje lojtarësh sa herë i mungon një lojtar.

Pritet që ky të jetë edhe afrimi i fundit dhe Kukësi t’i mbyllë një herë e mirë edhe hesapet me merkaton e janarit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"