Kukësi, një ndeshje “kunjash” në Vlorë. Gjici nuk harron Kalenë, Koliçi e Alla për revansh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 15:52

Kukësi, një ndeshje “kunjash” në Vlorë. Gjici nuk harron Kalenë, Koliçi e Alla për revansh

Kukësi barazoi ndeshjen e hapjes së kampionatit kundër Laçit në “Elbasan Arena”, e cila nuk u prit mirë nga presidenti Gjici. Kreu i klubit kërkon me çdo kusht fitoren në Vlorë, pasi ndeshja ndaj Flamurtarit ka dhe specifika të veçanta për këtë kampionat.

idrizi gjici

Së pari, vlonjatët kanë investuar shumë e pretendojnë që të jenë ata fituesit e mëdhenj të kampionatit, konkurrentët e Kukësit që është vetëshpallur pretendent kryesor për titullin kampion. Duke parë organikën dhe investimet e presidentit Gjici, çdo gjë duket OK, por fusha do e tregojë nëse pretendimet e nënkampionëve janë reale apo thjesht në letër.

Së dyti, drejtuesit e Kukësit kanë “kunj” me homologët vlonjatë për shkak të Elton Kalesë, i cili është bërë një mollë sherri ndërmjet dy klubeve. Për të pati reagime të forta nga ana e Kukësit, ku vetë Gjici për gazetën theksoi me forcë se Kale është lojtar i Kukësit dhe nuk shkon dot asgjëkund, duke e kërcënoi Flamurtarin. Braziliani ndodhet dhe stërvitet në Vlorë, por me letra rezulton i Kukësit. Çështja e tij është në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, e me shumë gjasa e drejta do i jepet Kukësit, pasi lojtari ka të depozituar kontratën në federatë ku ka nënshkruar për Kukësin. E mandej “inati” është me dy lojtarët që u bënë të famshëm e shkëlqyen me Kukësin, Enea Koliçin e Albi Allën, të dy shqiptarët e rritur në Greqi me Kukësin fituan gjithçka, por mënyra sesi janë ndarë me Kukësin, presidentit Gjici e stafit të klubit verilindor nuk iu ka lënë shije të mirë. Përveç arsyeve sportive, faktet më lart janë si motiv shtesë për ekipin verilindor.

Si e sfidon Cungu Flamurtarin?

Kukësi ka qenë gjithmonë superior në takimet kokë më kokë me Flamurtarin. Nënkampionët e kanë mundur plot 14 herë ekipin vlonjat, e këta të fundit vetëm 2 herë. Por statistikat nuk do të thonë gjë për trajnerët përkatës, Cungu dhe Daja. Tashmë të dy ekipet janë të ndryshëm me Flamurtarin që është forcuar ndjeshëm. Por, si do e sfidojë trajneri Cungu homologun Daja? Cungu ka marrë një lajm të mirë nga infermieria, ku mesfushori Dzaria do të jetë gati për ekipin për ditën e diel. Burime të sigurta pranë stafit mjekësor bëjnë më dije për gazetën se Dzaria e ka kaluar dëmtimin dhe nuk do ketë asnjë problem për të luajtur ditën e diel.

Kështu, për trajnerin shkodran, në momentin që drejtuesit janë në konflikt me Donjet Shkodrën, rikthimi i Dzarias është si një bonus, për të dhe ekipin. Mbas konfirmimit të gjeorgjianit, trajneri do provojë me një formacion tërësisht sulmues. Deri tani, trajneri ka provuar Malokun si portier titullar. Edis Maliqi në krahun e djathtë, kapiteni Shameti e Cuculi në qendër, rikthehet Rrumbullaku në të majtë, i cili nuk u aktivizua ndaj Laçit për shkak të lodhjes, mbas 6 ndeshjeve të Kupave të Europës si titullar. Mesfusha do të përbëhet nga Çyrbja në të djathtë, pritet që të aktivizohet nga minuta e parë Dzaria në qendër, për shkak se stafi mjekësor ka dhënë garanci për të dhe mesfushori është bashkuar me grupin në stërvitje, e përkrah tij do vendosët zëvendëskapiteni Musolli, ndërsa në të majtë Uilliam Melo. Sulmi do mbulohet nga Rexhinaldo, e njëri mes Harbës e Shpehar, ku boshnjaku ka më shumë shanse të jetë titullar.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"