Kukësi ngec për një sulmues, java që vjen është vendimtare. Ja situata te ekipi i Duros

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2020 | 9:05

Kukësi ngec për një sulmues, java që vjen është vendimtare. Ja situata te ekipi i Duros

Ekipi i Kukësit ndodhet në Antalia të Turqisë për zhvillimin e minifazës përgatitore që prej datës 4 janar. Nga ajo ditë, nënkampionët nën udhëheqjen e trajnerit Duro kanë zhvilluar 14 seanca stërvitore, duke mos bërë asnjë ditë pushim dhe duke marrë ngarkesë maksimale, gjë që ka ndikuar pozitivisht te forma e lojtarëve.Kukesi

Përballimi me sukses ndaj ekipit të Superligës turke, Malatjaspor, e tregoi qartë potencialin dhe formën e Kukësit. Në miqësoren e parë trajneri Duro hodhi në fushë formacionin më të mirë, me ndryshimin e vetëm që në stol, për arsye taktike, la liderin e sulmit, Vasil Shkurtajn. Por, kjo nxori në pah edhe dobësinë e Kukësit, mospasjen e një zëvendësuesi të denjë të qendërsulmuesit. Me largimin e Dakut, përveç Shkurtajt, trajneri Duro ka në dispozicion edhe Markovanbasten Çemën, i cili është një sulmues i ri dhe premtues.

Por, sipas stafit teknik, Çemës i duhet të punojë shumë që të arrijë te formacioni, sidomos në përballje të mëdha. Pra, Kukësit i nevojitet një qendërsulmues i afirmuar dhe natyrisht i një niveli të lartë. Në rast të një mungese të Shkurtajt, teknikut Duro do t’i duhet të luajë me Abazajn apo ndonjë lojtar tjetër si sulmues “pykë”, që do të ishte jashtë rolit. Në sezonin e shkuar, kuksianët kishin mundësi përzgjedhjeje, pasi Rexhinaldo e Shkurtaj ishin në garë për një vend, por tashmë hendeku në sulm është i madh. Gazeta mëson se Kukësi akoma nuk ka arritur të gjejë sulmuesin e kërkuar.kukesii

Janë parë dy-tri alternativa, por me asnjë prej tyre nuk ka pasur nismë konkrete. Gjithsesi, drejtuesit nuk e kanë me nxitim, pasi janë të bindur se deri në përfundim të merkatos do të gjejnë alternativën më të mirë për Shkurtajn. Java që vjen pritet të jetë vendimtare për sulmuesin e ri. Drejtuesit kërkojnë që ta blindojnë sulmin, pasi e dinë shumë mirë vështirësinë e kampionatit dhe mospasja e një alternative të dytë cilësore të sulmuesit të qendrës përbën problem.

Axhenda – Data 17 janar është fiksuar si dita e kthimit në Tiranë për ekipin e Kukësit. Por, cili është plani dhe axhenda e skuadrës? Verilindorët kishin lidhur kontratat për të zhvilluar 3 ndeshje miqësore në Turqi, por takimi i parë kundër Trabzonsporit, i programuar për t’u luajtur me datën 7 janar, u anulua për shkak të një problemi të skuadrës turke. Takimi i dytë, kundër Malatjasporit, ishte vendosur për t’u luajtur me datën 11 janar, por me kërkesë të turqve ndeshja u luajt me një ditë më herët.kukesi

Tashmë skuadrës i ka mbetur për të luajtur miqësoren e dytë kundër Politeknika Lasit më datë 15 janar. E me këto dy miqësore Kukësi do ta mbyllë serinë e ndeshjeve të luajtura në Antalia. Stafi ka punuar me kujdes në aspektin e planit stërvitor, pasi për çdo ditë janë planifikuar dy seanca stërvitore të koordinuara, palestër, aerobi dhe përgatitje në fushë. Ndërsa dje, ekipi ka bërë pushimin e parë në tokën turke e nga dita e sotme seancat vijojnë me dy turne.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"