Kukësi në telashe, Musolli 1 muaj jashtë fushave. Klubi apel lojtarëve: Kush vjen mbipeshë… gjobitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2020 | 9:49

Kukësi në telashe, Musolli 1 muaj jashtë fushave. Klubi apel lojtarëve: Kush vjen mbipeshë… gjobitet

Kukësi do të ndeshej me Luftëtarin, por ndonëse trajneri Orges Shehi kishte karikuar në maksimum lojtarët, sërish problematikat në radhët e skuadrës mbeten të mëdha.

Musolli

Kundër gjirokastritëve Shehi nuk kishte në dispozicion bomberin Vasil Shkurtaj, i cili po vazhdon fazën e rikuperimit pas dëmtimit të pësuar ndaj Vllaznisë në muskulin e brendshëm të gjurit dhe Emiljano Mustën, i cili ka pësuar tërheqje muskulore dhe i duhen dhe të paktën 10 ditë që të rikuperohet e të jetë gati.

Sikur të mos mjaftonin mungesat e Shkurtajt e Mustës, trajneri durrsak nuk do të ketë në dispozicion dhe qendërmbrojtësin Erhun Obanor. Nigeriani ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Të gjitha këto mungesa ishin të konfirmuara e të ditura.

Por, gazeta zbulon të papriturën që i ndodhi ekipit të Kukësit dhe pikërisht kapitenit të saj Besar Musolli, i cili është dëmtuar sërish, por këtë herë shumë më tepër se dëmtimi i shkuar dhe me një diagnozë tjetër. Musolli pati probleme të mëdha pas përplasjes që pësoi në takimin kundër Teutës në Durrës në datën 29 shkurt, por sërish kapiteni u rikthye të luajë ndaj Skënderbeut në datën 9 të  këtij muaji.

Musholli Kukesi

31-vjeçari sakrifikoi dhe luajti gjysmë i dëmtuar, me maskë dhe vetëm me tri seanca stërvitore, gjë që ka bërë që ai të pësojë një dëmtim akoma më të madh. Mesfushori ka pasur dhimbje muskulore dhe është konfirmuar se dhe ai ka pësuar tërheqje muskulore të gradës së parë dhe do i duhen 3-4 javë të qëndrojë jashtë fushave për t’u rikuperuar.

Pra, nëse ndeshja do të luhej, Shehi do të kishte katër mungesa, Vasil Shkurtajn, Emiljano Mustën, Erhun Obanor për kartonë dhe kapitenin Musolli. Duke parë këtë situatë dhe pse Kukësi do të luante kundër Luftëtarit të vendit të parafundit, më mirë që takimi nuk u luajt. Pa harruar që ky pushim shëron “plagët” e të dëmtuarve të Kukësit.

Situata postshtyrje, masat

Me të ardhur vendimi për shtyrjen e kampionatit deri në një afat të pacaktuar, drejtuesit e Kukësit lajmëruan lojtarët dhe lanë grumbullimin. Duke parë situatën e përgjithshme mjaft të ngarkuar në vend, drejtuesit e Kukësit morën dhe masat paraprake në lidhje me situatën postshtyrje të kampionatit, por u komunikuan rrezikun që u kanosej të gjithëve prej virusit, i cili ka paralizuar gati të gjithë jetën sportive në Europë. Drejtuesit e kishin pasur një plan “B”, ndaj ua komunikuan direkt vendimet lojtarëve.

1. Futbollistët lejohet të qëndrojnë pranë familjeve të tyre e secili do ketë një program individual, që duhet ta zbatojë me përpikmëri.

2. Kush jeton në Tiranë, do zhvillojë stërvitje individuale me përgatitësin atletik të klubit.

3. Secili lojtar ka për detyrë të mbrojë veten dhe të tjerët nga marrja ose përhapja e këtij virusi. Pra, lojtarëve do u duhet të karantinohen.

4. Zbatohen urdhrat dhe udhëzimet e klubit në çdo kohë, të cilat jepen me telefon ose në grupin e “Whatsapp”.

5. Në një moment të dytë kur lojtarët do duhet të rinisin stërvitjen, do të peshohen dhe kush do të vijë mbipeshë, do ketë gjobë. Ky është dhe momenti final, nga i cili secili lojtar duhet të ketë zbatuar përpikmërisht programin e dhënë prej drejtuesve.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"