Kukësi në presion, duhet fitore me çdo kusht ndaj Bylisit. Duro projekton ndryshime në formacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 12:52

Kukësi në presion, duhet fitore me çdo kusht ndaj Bylisit. Duro projekton ndryshime në formacion

Kukësi ka pasur shumë ulje-ngritje në këto 12 javë kampionat. Ekipi përgjithësisht ka zhvilluar ndeshje të mira, por rezultatet kanë munguar. Humbja e fundit ndaj Laçit u përjetua shumë në kampin verilindor, por duket se pauza dyjavore ka shërbyer më së miri për skuadrën e Duros, që tashmë i bën llogaritë me organikën e plotë. 

kukesi

Pas mungesës së 4 lojtarëve në Laç, pikërisht titullarë si Shkurtaj, Abazaj, Musolli dhe Limaj, tashmë situata në prag të ndeshjes me Bylisin është më e qetë. Ndaj ballshiotëve do të luhet të shtunën në “Elbasan Arena” dhe fusha e mirë e këtij stadiumi është një avantazh për skuadrën, që në përbërje ka kualitete. Mirëpo, presioni në skuadër mbetet i madh, për vetë faktin se ndaj Bylisit kërkohet fitorja me çdo kusht. Drejtuesit kanë vendosur një ultimatum për skuadrën, për të arritur katër fitore radhazi. Duke parë kalendarin e ndeshjeve që Kukësi do të zhvillojë, përplasjet janë mjaft të forta, sepse pas Bylisit, verilindorët do të përballen në kryeqytet me Tiranën, më pas me Teutën brenda e mandej në transfertë ndaj Vllaznisë. Stafi teknik dhe lojtarët e kanë të qartë se duhet të bëjnë një sforco të madhe për të qenë në krye ose minimalisht të zvogëlojnë distancën me Partizanin që aktualisht mban vendin e parë.

kukesii

Ndërkohë, në sfidën e së shtunës ndaj Bylisit, trajneri Duro pritet të bëjë ndryshime në formacion. Me rikthimin e Abazajt, Musollit, Limajt dhe Shkurtajt, duket se gjithçka do të përmbyset dhe formacioni s’do të ketë lidhje me atë ndaj Laçit. Gjasat janë që të ketë ndryshime jo vetëm në emra, por edhe në skemë. Porta do të mbrohet sërish nga Xhika, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Maliqi, Obanor, Teqja dhe Kitanovski.

kukesi

Në mesfushë pritet të rreshtohen Limaj, Musolli dhe Rroca, ndërsa në sulm do të aktivizohen Abazaj ose Ethemi dhe Gavazaj nga krahët, si dhe Shkurtaj në majë. Gjithsesi, për Duron ka edhe tri ditë kohë për të fiksuar titullarët dhe perfeksionuar taktikën që do të ndiqet me Bylisin.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"