“Kukësi në krye falë trajnerit, nga unë nis gjithçka”, Tafas: Stili i lojës së Longos më bën “organizator”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 11:14

“Kukësi në krye falë trajnerit, nga unë nis gjithçka”, Tafas: Stili i lojës së Longos më bën “organizator”

Portieri i Kukësit, Angelo Tafasi, i gëzohet vendit të parë në kampionat duke mos i parë si rastësore rezultatet e dy javëve të para. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ai shprehet se tani janë bërë tamam një ekip dhe meritën për këtë ia jep trajnerit Longo, por edhe vetë futbollistëve, të cilët po zbatojnë mirë detyrat në fushë.

TAFAS

“Kemi punuar shumë gjatë që nga momenti kur ka ardhur trajneri i ri, ku na ka mbledhur si skuadër dhe kemi punuar shumë taktikisht. Prandaj vijnë edhe këto rezultate të mira, të cilat nuk janë rastësore. Mund të them se jemi bërë tamam ekip tani”, u shpreh fillimisht për gazetën portieri i skuadrës së Kukësit.

STILI I LOJËS – Në vijim të fjalës së tij, 21-vjeçari shprehet se me stilin e lojës që po aplikon Kukësi këtë sezon, tani ai ka më shumë kontakt me topin dhe merr pjesë rregullisht në lojë. Në fakt, gjatë dy ndeshjeve të para ka dalë në pah stili “tiki-taka” që Longo është përpjekur ta injektojë te futbollistët e tij dhe deri më tani ka rezultuar i sukseseshëm, për aq kohë sa ekipi ka marrë pikët e plota.

“Për mua personalisht ka më shumë punë, pasi aktivizohem sa më shumë me topin poshtë. Është stili i lojës tonë që ma jep këtë mundësi, pasi gjithçka nis nga portieri nëse mund ta them kështu. Për këtë arsye tani aktivizohem më shumë në lojë edhe me topin”, vijoi më tej prononcimin e tij gardiani i verilindorëve, i cili ka marrë besimin e Longos për të qenë titullar i kësaj skuadre.

ECURIA – “Çdo ndeshje është shumë e vështirë. Edhe pse për Egnatian dhe Kastriotin që mundëm, ndoshta disa mendojnë se janë të lehta, nuk është ashtu, pasi ata kanë lojtarë cilësorë. Megjithatë, ne nuk na interesojnë shumë se çfarë bëhet me skuadrat e tjera. Ne i marrim ndeshjet me radhë dhe gjithnjë synimi është të fitojmë, pavarësisht se cili është kundërshtari. Nuk duam të bëjmë premtime aspak dhe çdo ndeshje radhe e marrim me qetësi për ta kaluar me sukses”, përfundoi portieri.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"