Kukësi në ankth për Musollin, mungesa e dyshime edhe për tre të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 21:43

Kukësi në ankth për Musollin, mungesa e dyshime edhe për tre të tjerë

Kukësi fitoi ndaj Teutës, por 3 pikët e marra i kanë kushtuar rëndë nënkampionëve. Verilindorët kanë humbur një nga lojtarët më të rëndësishëm, të paktën për ndeshjen ndaj Kamzës. Bëhet fjalë për Besar Musollin, për të cilin i gjithë stafi është në ankth. Dëmtimi që pësoi mesfushori kosovar ndaj Teutës mendohet se është i rëndë. Musolli, në një përplasje të lehtë me një prej kundërshtarëve, në fund të pjesës së parë, dhe në rënie, e pësoi keq, duke përdredhur gjurin.

Ai ka ndjerë një dhimbje të madhe dhe menjëherë është zëvendësuar me Arlind Kalanë. Nga të dhënat e para dyshohet një tërheqje e një muskuli në pjesën e pasme të gjurit, por dyshimet janë hedhur dhe për këputje ligamenti, pra, krociat. Mjekët e ekipit janë vënë në alarm dhe janë në monitorin të rreptë të situatës së Musollit. Presidenti Gjici dhe drejtuesit e tjerë janë “tërbuar” për rastin në fjalë dhe kreu i klubit ka dhënë urdhër të prerë që të merren masa menjëherë që mesfushori të kryejë rezonancë magnetik, e të vizitohet nga specialistët më të mirë në vend, qofshin dhe të huaj që punojnë në Shqipëri, vetëm të zbardhet sa më shpejt çfarë dëmtimi ka zv.kapiteni.

musolli kukesi

Janë marrë menjëherë kontaktet me mjekët specialistë dhe janë bërë gati për të kryer rezonancën. Pritet që rezonanca të kryhet sot në mëngjes e 24 orë më pas të dalë përgjigjja. Gjatë kësaj kohe, lojtari është rehabilituar e, për fat të mirë, nuk ka ndjerë shumë dhimbje, por kjo ka dhe një anë të keqe, pasi, sipas mjekëve, në rastet kur ka krociat, në fillim ka shumë dhimbje, pastaj nuk ka më ose ka shumë pak. Dilemat për Musollin dhe ankthi do të përfundojnë vetëm kur të dalë përgjigjja e rezonancës magnetike, e cila do përcaktojë fiks diagnozën e mesfushorit.

MUNGESA E DYSHIME

Përveç Musollit, drejtuesit e Kukësit janë të shqetësuar dhe për situatën e tre lojtarëve të tjerë, njëlloj të rëndësishëm sa zv.kapiteni.

REXHINALDO

Së pari, është sulmuesi Arturo Rexhindaldo, i cili ka pasur probleme në aduktor. Mozambikasi luajti i sforcuar ndaj Teutës, edhe pse nuk e kishte kaluar 100% dëmtimin në aduktor, por, sipas drejtuesve të Kukësit, ata u siguruan para se sulmuesi të luante. Dhe pse fill mbas ndeshjes 29-vjeçari u pa nën shoqërinë e mjekëve të ekipit për të monitoruar gjendjen si dhe për të evidentuar ndonjë problem të mundshëm. Por, nga burime pranë stafit mjekësor të Kukësit, sulmuesi thjesht është sforcuar dhe lodhur. Sulmuesi do të kryejë terapi dhe pritet që të jetë gati ndaj Kamzës. Rexhinaldo e ka nisur javën i diferencuar nga grupi, por shumë shpejt do të bashkohet me grupin.

SHAMETI

Kapiteni Ylli Shameti ka disa ditë që kryen stërvitje i diferencuar, madje ai nuk luajti ndaj Teutës, pasi mjekët e ekipit vendosën që mos të rrezikonin me atë. Mbrojtësi shtatlartë ka pasur dhimbje në këmbë, e cila vijon akoma. Mjekët e ekipit po e monitorojnë situatën e tij. Në dyshim është prezenca e tij me Kamzën; përgjigjja e mjekëve do vendosë nëse do luajë apo jo, pasi dëshira e lojtarit është të sakrifikojë për skuadrën.

RRUMBULLAKU

Kukësi ka një mungesë të konfirmuar e jo më pak të rëndësishme për Kamzën. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Simon Rrumbullaku, i cili ka akoma dhimbje gjuri dhe nuk i është mbyllur plaga nga goditja e marrë në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Vlorë. U mendua se plaga do mbyllej shpejt, por çarja ishte e thellë e akoma nuk është mbyllur. Rrumbullaku ka nisur dje stërvitjen, ku ka zhvilluar kryesisht vrapime. Për disa ditë, mbrojtësi i majtë do të ndjekë një program veçmas grupit. Rrumbullaku pritet të mos rrezikojë ndaj Kamzës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"