Kukësi në ankth për Abazajn, 10 orë për të shkuar në… Antalia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 11:15

Kukësi në ankth për Abazajn, 10 orë për të shkuar në… Antalia

Anderleht ka nxjerrë në shitje Kristal Abazajn. Forma e mirë që sulmuesi po kalon te verilindorët, i ka bindur belgët që ta fusin në treg që në janar. Kujtojmë se lojtari erdhi te Kukësi gjatë verës (në formë huazimi dhe nënshkroi kontratë sezonale), e megjithatë mediat në Belgjikë shkruanin se ky operacion mund të kryhet që në këtë merkato, në rast se vjen një ofertë bindëse. Dhe nëse kjo ndodh, verilindorët rrezikojnë që të humbasin një nga futbollistët më të mirë që kanë në organikë, duke hapur një “gropë” të madhe në sulm. E megjithatë, drejtuesit e Kukësit janë të qetë. 

kukesi

Burime të sigurta për “Panorama Sport” qartësojnë se Kukësi e ka kopsitur kontratën në mënyrë të atillë, që të mos ketë shanse largimi pa përfunduar rrugëtimi i Kukësit edhe në Kupat e Europës. Edhe pse kartoni i anësorit është në pronësi të plotë të Anderleht, verilindorët e quajnë të tyrin deri në verë.

MERKATO – Kukësi ndodhet në vendin e parë të tabelës dhe objektivi i vetëm është titulli kampion. Nevojat në merkato nuk janë të mëdha, pasi ekipi verilindor është thuajse i plotësuar, por nëse shfaqen lojtarët e duhur për disa role, nuk përjashtohet mundësia për të ndërhyrë. Një ose dy afrime pritet të bëjnë drejtuesit dhe vëmendja do të jetë e përqendruar në sulm. Klubi po mendon për zëvendësuesin e Mirlind Dakut.

mirlind daku

Drejtuesit shfaqën interes për Hervin Hongenda, sulmuesin francez të Botosanit. Por kur kanë mësuar për pagesën e tij të lartë, janë tërhequr menjëherë. Në skenë ka dalë një tjetër francez, që luan në Ligën e Tretë me Diepe. Bëhet fjalë për Omar Bashir Fall, por deri tani nuk ka asgjë konkrete për të afruar 25-vjeçarin. Drejtuesit do të shohin dhe mund të afrojnë dhe lojtarë për provë përgjatë këtyre gati 13 ditëve që do të qëndrojnë në Turqi.

RRASKAPITJA – Kukësi është nisur drejt Turqisë që në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Destinacioni është Antalia, atje ku skuadra do të kryejë minifazën përgatitore për 13 ditët e ardhshme. Fluturimi ka nisur në orën 02:00, e megjithatë lojtarët kanë qenë në aeroportin e Rinasit me të kaluar mesnata. Pas dy orëve në avion, mbërritën në Stamboll. Rreth 90 minuta u është dashur të qëndrojnë në tranzit, për të marrë linjën tjetër.

kukesi

Pas një ore fluturim, mbërritën në Antalia. Nga aeroporti iu deshën rreth 40 minuta me autobus për t’u akomoduar në hotelin “Royal Seginus”. Rreth 10 orë ka zgjatur udhëtimi së bashku me pritjet. Por ka pasur lojtarë që u ka shkuar gati një ditë mbërritja në destinacion, si rasti i Musollit apo Gavazajt. Ata janë nisur që të premten pasdite nga Prishtina për në Tiranë, për të bërë udhëtimin së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Shpëtim Duro nuk e ka marrë shumë parasysh lodhjen, pasi që dje i nxori në stërvitje në tokën turke. Futbollistët dhe stafi kanë qenë të kënaqur me kushtet e hotelit, infrastrukturën dhe me klimën e temperaturat mjaft të favorshme në Antalia.

MUNGESAT – Ditën e shtunë nuk udhëtuan me ekipin Valon Ethemi, Vesel Limaj, Erhun Obanor e Mirlind Daku. Dy te parët iu bashkuan dje grupit nga Berlini, ndërsa Obanor u nis nga Zagrebi për shkak të letrave. Për Limajn qarkulluan zëra se ka një ngërç me kontratën, por klubi mohon gjithçka.

limaj

Ata sqarojnë për gazetën se nuk ekziston një problematikë e tillë, madje kjo foto me drejtorin Nexhipi sqaron gjithçka. Mungesa e tij njëditore erdhi për shkak të udhëtimit nga Gjermania drejt Turqisë. Edhe një vit më parë mesfushori ka ndjekur të njëjtin itinerar dhe në të njëjtat data. Krejt ndryshe paraqitet historia me Mirlind Dakun. Lojtari edhe pse u lajmërua për t’u grumbulluar në Turqi, nuk ka pranuar të kthehet. Sulmuesi ka kërkuar largimin dhe “divorci” duket i sigurt. Kosovari kërkon të aktivizohet rregullisht, por te Kukësi e ka të pamundur. Të gjendur në këto kushte dhe duke mos dashur t’i prishin punë lojtarit, sapo të nisë puna zyrtarisht në klub drejtuesit do t’i japin edhe letrat futbollistit që erdhi si i huazuar nga kroatët e Osijek.

lista

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"