Kukësi mposht Dinamon, Enkeleid Dobi aktivizon 25 futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2022 | 10:25

Kukësi mposht Dinamon, Enkeleid Dobi aktivizon 25 futbollistë

Dinamo dhe Kukësi luajtën të shtunën një ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e kampionatit, të ndërprerë për shkak të Botërorit.

KUKESILojtarët e Kukësit duke festuar pas golit të dytë

Testi u luajt në kompleksin stërvitor të Tiranës, “Skënder Halili” dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Kukësit.

Kjo ishte miqësorja e parë për këto dy skuadra pas ndërprerjes së kampionatit dhe trajnerët Nevil Dede dhe Enkeleid Dobi panë gjendjen e të gjithë lojtarëve që kishin në dispozicion. Ata zgjodhën dy strategji të ndryshme për këtë miqësore, teksa Dobi aktivizoi plot 25 lojtarë gjatë 90 minutave.

DINAMO – Trajneri Dede vendosi ta niste ndeshjen me formacionin më të mirë. Përveç të dëmtuarve Ymeri dhe Imami, që mungonin, u lanë pushim Lilaj dhe Bakaj, ndërsa Vokrri bëri vetëm vrapime rreth fushës.

Në mbrojtje, përveç Fetajt, Diksonit dhe Allmuçës, luajti Ali Samake gjithë ndeshjen, ashtu si Taulant Marku. Titullarë ishin kapiteni Daja, Preloshi, Bardhi djathtas dhe Prodani majtas, ndërsa në sulm dyshja Denison-T.Marku.

Në pjesën e dytë u aktivizuan të gjithë ata që ishin në stol. Blutë bënë një paraqitje të mirë, krijuan raste dhe shënuan me Taulant Markun, i cili mori një pasim të bukur nga Kasmollari. Një tjetër mundësi shënimi pati Marku sërish dhe Mija.

KUKËSI – Trajneri Dobi zgjodhi një strategji tjetër. Ai aktivizoi dy formacione mikse në këtë miqësore, nga një në secilën pjesë, duke iu dhënë mundësinë për të luajtur të gjithëve. Me Kukësin ishin edhe dy lojtarë në provë.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndërsa në të dytën, kur në fushë zbritën lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, me në krye vëllezërit Taipi, ritmi ndryshoi.

Kukësi filloi të bënte diferencë dhe gjeti golin me Klejdi Dacin, i cili gjuajti fort përballë Simonit, pas një pasimi që mori në zonë.

Por në prapavijë kuksianët patën probleme dhe mund të ndëshkoheshin me më shumë se një herë nga Dinamo.

Golin e dytë verilindorët e realizuan në fundin e ndeshjes, kur Jakup Berisha përfitoi nga një gabim i mbrojtësve të Dinamos, të cilët u përplasën me njëri-tjetrin në një dyluftim ajror.

DI (1)

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"