Kukësi me një “Bob”, Starova drejtor teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2012 | 11:35

Kukësi me një “Bob”, Starova drejtor teknik

Kukësi ka plotësuar përfundimisht stafin drejtues dhe tashmë ka nisur nga puna për formatimin e ekipit të ri, i cili do të luajë për herë të parë në Kategorinë Superiore. Lajmi më surprizues është bërë i ditur dje, teksa presidenca zyrtarizoi si drejtor teknik Sulejman Starovën. Ish-trajneri i Partizanit, Tiranës, Teutës dhe Besës ka lënë postin te skuadra durrsake dhe ka preferuar Kukësin. Nga ana tjetër, dje janë zyrtarizuar edhe ndihmësit e trajnerit Armando Cungu. Esat Rrakiqi do jetë zv.trajner dhe po nga shkolla e Vllaznisë është dhe përgatitësi i i portierëve, Avenir Dani. Tri ditë më parë, Kukësi ka përzgjedhur mes shumë kandidaturash Cungun në krye të pankinës, por një befasi mund të quhet fakti i afrimit në rolin e drejtorit teknik të një prej specialistëve më të njohur në vend.
Deklarata Në deklaratën e tij të parë si drejtor teknik te skuadra e Kukësit, Sulejman Starova flet edhe për arsyen pse zgjodhi të bënte këtë lëvizje, pas suksesit që arriti një sezon më parë me Teutën, duke e shpallur atë nënkampione të vendit në bashkëpunim me trajnerin Hasan Lika. “Arsyeja kryesore që unë erdha tek Kukësi, është se do jem në Tiranë (Kukësi i zhvillon stërvitjet në kryeqytet) dhe do jem më shumë pranë familjes sime dhe nuk do kem udhëtime të shumta. Personalisht largohem nga Durrësi mjaft i vlerësuar dhe me përshtypjet më të mira, me arsyen e parë se do jem më shumë në Tiranë. Edhe stërvitja e ekipit të Kukësit do bëhet më shumë në Tiranë, ndoshta dhe disa ndeshje të fillimit, derisa të mbarojë ndërtimi i stadiumit në Kukës”, ka pohuar për “Panorama Sport” Starova, i cili tashmë do të vërë në përdorim të ekipit të tij të ri të gjithë eksperiencën personale në Kategorinë Superiore. Ndërkaq, “Bobi” flet edhe për objektivat që do të ketë me ekipin e tij të ri. “Është po ai objektiv që presidenca i ka bërë me dije të gjithë stafit të ri që ka afruar në krye të skuadrës, të renditemi në mesin e tabelës së renditjes dhe të mos shkojmë poshtë saj. Unë e pëlqej projektin e presidencës kuksiane dhe këmbënguljen e saj për të ndërtuar një ekip profesionist. Besoj se në bashkëpunim dhe me pjesën tjetër të stafit, me presidencën dhe me lojtarët do të arrijmë objektivin tonë. Është ende herët për të folur për detaje, pasi unë sapo jam emëruar. Me pjesën tjetër të stafit nuk kam punuar më parë dhe në vazhdim do të konturojmë ekipin, por edhe shumë punë të tjera”, ka përfunduar Starova.

Pritet Hallaçi, Sefa dhe Alikaj
Një ndër emrat që pritet të zyrtarizohet si blerja e parë e Kukësit, është ajo e mbrojtësit Rrahman Hallaçi. Ish-lojtari i Partizanit, Tiranës, Elbasanit dhe së fundmi Kamzës, do të rikthehet për të luajtur me skuadrën e vendlindjes pas një dekade. Ndërkohë, mësohet se interesim ka edhe për Jetmir Sefën e Enkel Alikajn, që kanë luajtur me Kastriotin.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"