Kukësi likuidon Metalurgun, shënojnë Cikalleshi e Periç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 9:27

Kukësi likuidon Metalurgun, shënojnë Cikalleshi e Periç

Kukesi pi uje, stervitje ne OherKukësi ka bindur edhe në miqësoren e dytë në Maqedoni, këtë herë ndaj Metalurgut të Shkupit, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0. Kundërshtari ka mbyllur kampionatin në vendin e tretë në Maqedoni dhe merr pjesë në Ligën e Europës, ashtu si Kukësi. Trajneri Agim Canaj aktivizoi nga minuta e parë ata lojtarë që mendohet se do të luajnë në formacion edhe në takimin e Ligës së Europës. Me skemën 4-1-2-3, Kukësi bindi me lojë, teksa ranë në sy Hoxha, Lushtaku dhe Cikalleshi. Gjatë pjesës së parë Metalurgu nuk e rrezikoi asnjëherë portën e Halilit. Në minutën e 37-të është Lushtaku që fut një topin në zonë dhe aty Cikalleshi e kthen në gol. Sulmuesi kavajas vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer, ndërkohë që pa u mbyllur pjesa e parë pati edhe dy raste të tjera për shënim, por gaboi para portës. Edhe pse miqësore, loja ka qenë e fortë, ku nuk kanë munguar përplasjet. Raste për shënim patën edhe Dushku, Bici e Hoxha. Canaj kishte rreshtuar një mesfushë të ngjeshur, me Shametin që vepronte përpara mbrojtjes në rolin e shkatërruesit. Në pjesën e dytë Kukësi bëri shumë zëvendësime dhe afër fundit, sulmuesi serb, Ivan Periç shënoi golin e dytë. Ndërkohë, kroati Pero Pejiç, u la pushim, por vlen të theksohet se ai nuk do të jetë i gatshëm në ndeshjen e parë për shkak të pezullimit që ka marrë nga UEFA në edicionin e kaluar me Skënderbeun. Dje në testin me Metalurgun u aktivizuan edhe brazilianët e ardhur në provë: Xheferson Françisko dhe sulmuesi Xhunior Pinto. Mundësitë janë që të dy të firmosin, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"