“Kukësi, klubi i madh”, rrëfimi i 22-vjeçarit Berisha: Shqipëria ka kampionat të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 23:20


“Kukësi, klubi i madh”, rrëfimi i 22-vjeçarit Berisha: Shqipëria ka kampionat të fortë

Jakup Berisha plotëson “pokerin” e afrimeve deri tani te Kukësi, duke firmosur edhe një kontratë trevjeçare me verilindorët. Kjo do të jetë eksperienca e tij e parë jashtë Maqedonisë së Veriut, ku shpreson të lërë shenjë. Në një prononcim enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari e cilëson Kukësin një klub të madh, ndaj shpreson të bëjë mirë aty.

JAKUP BERISHA 1

“Jam i lumtur që firmosa te Kukësi, pasi bëhet fjalë për një klub shumë të madh. Dua të bëj maksimumin tim në këtë skuadër”, shprehet fillimisht sulmuesi më i ri që do të vihet nën urdhrat e Skënder Gegës. Në vijim të fjalës së tij, Berisha pohon se zgjedhja nuk ka qenë shumë e vështirë, edhe pse nuk i kanë munguar ofertat brenda kampionatit maqedonas.

“Kam pasur oferta edhe nga Maqedonia, por më pëlqen një aventurë jashtë vendit, pasi dua të tregoj vlerat e mia dhe te Kukësi janë këto mundësi. E kisha shumë të lehtë për të arritur marrëveshjen me drejtuesit e Kukësit dhe jam krenar që do të më jepet mundësia të kontribuoj për këtë klub të madh dhe me traditë”, vijoi më tej sulmuesi i krahut te Kukësi, i cili pritet të ketë një vend në formacion për këtë sezon.

FUTBOLLI SHQIPTAR

Ndonëse për Berishën bëhet fjalë për një ekip të ri dhe për më tepër një kampionat të ri, 22-vjeçari e ka marrë informacionin për gjithçka ndodh në futbollin shqiptar, për shkak se shumë shokë të tij kanë luajtur në vendin tonë.

“Kam pasur shumë shokë që kanë luajtur futboll në Shqipëri, ku kemi diskutuar thuajse për çdo skuadër, normalisht edhe për Kukësin. Është klub i madh, ku dua t’i shërbej me shënimin e sa më shumë golave, në mënyrë që të arrij objektivat që ka klubi.

E di që bëhet fjalë për një kampionat shumë të fortë në Shqipëri, pasi ka shumë ekipe cilësore, por ne do të bëjmë të pamundurën që Kukësi të arrijë synimet e veta”, u shpreh ish futbollisti i Shpresave të Maqedonisë së Veriut, i cili ka ardhur me ide të qarta dhe me informacionin e duhur për skuadrën e re ku do të marrë pjesë.

KONTRATA

Nëse kontrata do të zbatohet deri në fund, Berisha do të jetë pjesë e Kukësit për tri vite rresht. Një fakt ky që nuk i bën përshtypje pse mund të qëndrojë i lidhur me ekipin, pasi synon të lërë gjurmë në këtë klub. “Personalisht jam i lumtur që kam firmosur me Kukësin dhe është herët për të folur sesa gjatë do të qëndroj.

Synimi im është të bëj vetëm maksimumin me këtë skuadër që më ka besuar dhe së bashku të arrijmë objektivat”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën sulmuesi 22 vjeçar i verilindorëve, i cili ka pritshmëri të mëdha në aspektin personal këtë sezon.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL