Kukësi kërcënohet me padi në FIFA për Gurin, në “lojë” edhe Hebaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 9:29

Kukësi kërcënohet me padi në FIFA për Gurin, në “lojë” edhe Hebaj

Një nga shitjet më të bujshme të merkatos së verës ishte pa dyshim ajo e Sindrit Gurit nga Kukësi tek Ostende në Belgjikë, për shifrën e 710 mijë eurove. Kjo shumë mbushi arkat e klubit, por tashmë kuksianët po hasin një problem të madh. Klubi mëmë, i cili ka ndihmuar edhe në rritjen e sulmuesit, KF Shkodra, duhej të merrte një pagesë solidariteti, siç është e përcaktuar edhe në FIFA, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Guri55

Taip dhe Rudi Piraniqi, që drejtojnë klubin privat të KF Shkodra kanë kontaktuar me avokatin e klubit të Kukësit, Arsen Selmanaj, dhe kanë kërkuar këtë tarifë, e cila shkon në shifrën e 14 mijë eurove. Juristi i Kukësit ka kërkuar që të vendoset dokumentacioni në dispozicion të tij për të vërtetuar se Guri ka qenë lojtar i këtij ekipi.

Në momentin që i janë vendosur të gjitha dokumentet në dispozicion, avokati i Kukësit u ka thënë që taksën e solidaritetit, do ta marrin nga skuadra e Ostendes. Më pas, gjithçka ka vazhduar me Kukësin që kërkon që klubi belg të paguajë këtë tarifë, ndërsa Ostende thotë se sipas kontratës, u takon verilindorëve të paguajnë paratë. Ky ngërç ka mbetur ende i pazgjidhur dhe çështja mund të shkojë në FIFA, nëse KF Shkodra nuk paguhet.

Guri1

REAGIMI I PIRANIQIT

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Taip Piraniqi sqaron gjithë çështjen, për të cilën thekson se ai si përfaqësues i ekipit “mëmë” të Sindrit Gurit, po has vështirësi, pasi klubet ia hedhin topin njëri-tjetrit. Ndaj, ai paralajmëron se në rast se nuk do të ketë zgjidhje më të “mirë”, ai ka gjithë dosjen gati për t’iu drejtuar organeve të FIFA-s.

“Siç të gjithë e dinë, KF Shkodra ka qenë klubi i parë i Sindrit Gurit. Ai këtu është formuar dhe rritur për 6 vite te ky ekip dhe pasi kaloi për një sezon te Vllaznia, e vijoi karrierën në klube të tjera, siç të gjithë kanë dijeni. Tashmë neve si klubi mëmë, sipas rregullores së FIFA-s, na ka lindur e drejta të përfitojmë tarifën e solidaritetit, e cila vjen nga shitja e Gurit prej Kukësit tek Ostende. Ne kemi pasur kontakte dhe korrespodencë me të dyja klubet, si me Ostenden, ashtu dhe me Kukësin.

Taip Piraniqi

Pasi u kemi vënë në dispozicion belgëve që të gjitha dokumentacionet e Gurit, duke filluar nga pasaporta e tij në vegjëli, letra e fakte të tjera, që dëshmojnë se ai është rritur dhe ka dalë nga klubi ynë, Ostende në mënyrë shumë serioze, na ka thanë që i takon Kukësit ta paguajë shifrën prej 10 mijë eurosh.

Ata (belgët) shpjegojnë se kur kanë blerë kartonin e sulmuesit, në kontratë kanë vendosur një klauzolë që shpjegon që nëse një pjesë parash do duhet të jepet për klub tjetër, ato do shpërndahen nga shuma që Guri është blerë. Pra, nga ajo shumë që ka përfituar Kukësi. Sipas Ostendes ne duhet të na paguajë Kukësi. Kemi pasur kontakte zyrtare me juristin e Kukësit, të cilit i dorëzuam dokumentet. Në fillim u pranua se i takonte Kukësit ta paguante këtë shumë, pastaj erdhi pretendimi se i takon Ostendes.

Gjithsesi, ne presim përgjigje nga zyrtarët e Kukësit deri ditën e hënë që kjo çështje të zgjidhet dhe ata të na kalojnë pjesën që na takon sipas rregullores së FIFA-s. Nëse sërish kjo histori nuk do zgjidhet, do i drejtohemi zyrtarisht FIFA-s, pasi dosjen e kemi gati. Uroj që mos të shkojë deri aty puna, por të zgjidhet”, u shpreh Piraniqi.

hebaj domzhale

APELI PËR VLLAZNINË

Përveç Gurit janë dhe dy lojtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e KF Shkodra si Rubin Hebaj dhe Arsaed Rehova, të cilat do shkojnë në FIFA dhe UEFA për të njëjtën arsye. “Këto çështje në klubet shqiptare nuk po gjejnë zgjidhje. E njëjta situatë është edhe me Vllazninë për dy lojtarë që kanë qenë pjesa e KF Shkodra, konkretisht Rubin Hebaj dhe Arsaed Rahova, që po bashkohen me çështjen Guri për t’ju drejtuar UEFA-s dhe FIFA-s”, përfundoi Taip Piraniqi për gazetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"