Kukësi kënaqet nga golat, sulmuesit bëjnë pushim/ Longo sytë nga Vasil Shkurtaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 21:34

Kukësi kënaqet nga golat, sulmuesit bëjnë pushim/ Longo sytë nga Vasil Shkurtaj

Kur mbetet për t’u lu ajtur edhe një ndeshje për t’u mbyllur gjysma e kampionatit, Kukësi ka qenë një nga surprizat e bukura të këtij sezoni, pasi me pak shpenzime ia ka dalë të jetë ndjekësi më i afërt i kryesuesve të Tiranës, kundërshtari i kësaj jave.

kukesi shkurtaj

Dhe, ajo që ka rënë më shumë në sy tek ekipi i Diego Longos, ka qenë efikasiteti në sulm, pasi verilindorët vijojnë të jenë skuadra që ka shënuar më shumë nga të gjithë, plot 30. Në njëfarë mënyre, ka qenë mbrojtja nën akuzë për golat e pësuar, të paktën deri para pak javësh.

Kohët e fundit duket se situata ka ndryshuar, me një sulm që nuk po funksionon dhe mbrojtje që deri diku e pranueshme dhe ndaj Tiranës mund të thuhet se shpresat do të jenë të varura te cinizmi i Vasil Shkurtajt, i cili ende nuk e ka harruar instinktin e golit, por varet sa minuta do t’i lërë në dispozicion Longo.

KRIZA E SULMUESVE

Tre golashënuesit më të mirë të Kukësit deri më tani janë Edi Basha me shtatë gola dhe Vitor Feizhao me Luka Milunoviçin me nga pesë të tillë. Është kjo treshe që në më të shumtën e rasteve kanë bërë “tredhëmbëshin” në ofensivë dhe me golat e shënuar kanë përligjur besimin e Longos.

Mirëpo, kur po i afrohemi ndeshjes më të rëndësishme të këtij kampionati, asaj ndaj Tiranës, verilindorët po vuajnë krizën e golit të golashënuesve. Thuhet kështu, pasi këta tre futbollistë kanë plot pesë takime që nuk shënojnë ose, e thënë më ndryshe, 450 minuta pa gol.

Për herë të fundit ka qenë Edi Basha ai që ka shënuar, pikërisht ndaj Laçit në humbjen 1-2, në 9 dhjetor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë te Kukësi kanë shënuar të tjerët, por gjithsesi është vënë re një rënie në ofensivë, në atë që cilësohej si ndër pikat më të forta të këtij ekipi.

SHPRESAT TE SHKURTAJ

Në një situatë të tillë, duket se të gjitha shpresat tani janë varur te Vasil Shkurtaj. Goli ndaj Skënderbeut tregoi edhe një herë se mbetet një sulmues tipik, i cili ndëshkon madje edhe me prekjen e parë të topit. Mirëpo, problemi i vetëm është koha në dispozicion dhe forma fizike e tij, që mund ta privojë sërish Longon ta hedhë në fushë nga minuta e parë.

Një fitore ndaj Tiranës do të hapte plotësisht luftën për titull në kampionat, pasi diferenca do të shkonte në vetëm tri pikë, ndaj më shumë se kurrë në Kukës kanë nevojë për golat e Shkurtajt, në një kohë kur sulmuesit e tjerë janë në krizë goli.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"