“Kukësi ka probleme fizike”, Hallaçi: Skuadrat pretendete për titull janë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 12:31

“Kukësi ka probleme fizike”, Hallaçi: Skuadrat pretendete për titull janë… (E PLOTË)

Kukësi ka krijuar një ekip me shumë lojtarë të rinj, por njëkohësisht shumë kualitativ e me emër, si Abazaj, Gavazaj, Kitanovski, Obanor. Ama sërish verilindorët nuk janë atje ku duhet, pasi rezultatet mund të ishin dhe me të mira. Presidenti Gjici ka bërë investim të madh, stafi teknik ka bërë punë intensive, por skuadra duket ndjeshëm që çalon në disa sektorë. Në vazhdën e largimeve të disa senatorëve në fund të sezonit të shkuar iku dhe një prej legjendave të skuadrës, pikërisht ish-kapiteni që ishte në rolin e ndihmëstrajnerit Rrahman Hallaçi.

Hallaci

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku i U-19-ës të Internacionalit skanon ekipin e qytetit të tij. Ai jep arsyet pse Kukësi nuk është aty ku pritej, e natyrisht sugjeron zgjidhjen sipas tij. Kukësi nuk zotëron më ndeshjet, sipas Hallaçit, gjë që e dëmton shumë, Abazaj, Gavazaj e disa të tjerë duhet të japin më shumë. Po kështu, duhet urgjentisht fazë përgatitore, pasi në skuadrën verilindore ka lojtarë që nuk nxjerrin dot 90 minuta.

Çfarë mendoni se nuk ka shkuar te Kukësi?

Kukësi investimin e ka bërë, por akoma nuk është ajo skuadra që jemi mësuar të shikojmë gjithmonë, që zotëron ndeshjen. Disa lojtarë akoma nuk janë aty ku duhet, bëhet fjalë për lojtarët e afruar në merkato.

Ka shumë kualitete në fazën sulmuese, mos ndoshta këta lojtarë nuk sakrifikojnë në fazën mbrojtëse dhe e gjithë barra i bie repartit të mbrojtjes?

E vërtetë është që ka lojtarë cilësorë në fazën ofensive, por shikoj se loja nga krahët akoma nuk është aty ku duhet. Disa lojtarë shikoj që nuk janë në gjendje të mbajnë 90 minuta e ky është një problem i madh.

rrahman hallaci

Çfarë mendoni se e penalizon më tepër Kukësin në garën për titull?

Në garën për titull Kukësi është dhe do jetë. E theksova më parë, disa lojtarë kanë probleme në aspektin fizik, nuk e përballojnë dot ndeshjen, e kjo duhet të rregullohet urgjent.

Çfarë prisni më shumë dhe nga kush prisni më shumë te Kukësi?

Abazaj dhe Gavazaj duhet të japin akoma më shumë, sepse i kanë treguar vlerat e tyre më përpara, të cilët akoma nuk i kam parë në formën e tyre më të mirë. Duhet pak kohë, ndoshta për ambientim.

Gara për titull si ju duket, cili mendoni se është konkurrenti kryesor?

Kukësi, Partizani dhe Laçi mendoj se janë konkurrentët kryesorë, më pas Tirana dhe Teuta. Unë kështu e shikoj për momentin.

Cili nga ekipet ju ka surprizuar këtë sezon? 

Laçi me ringritjen e tij dha një sinjal të fortë, Bylisi po të fitonte me Skënderbeun, do të kishim folur ndryshe sot.

Keni pasur kontakt me drejtuesit e Kukësit, nëse do të kërkojnë t’ju afrojnë, do ktheheni?

Kontakte të vazhdueshme nuk kam pasur. Nëse më kërkohet të rikthehem, sigurisht që fjala jo është e vështirë të thuhet nga ana ime. Unë jam larguar, sepse një trajner nuk u tregua i pastër me mua, por pak rëndësi ka, ia lëmë kohës.

Çfarë ju ka mbetur pishman nga Kukësi? 

Pishman më ka ngelur vetëm kualifikimi në grupe në Europa Ligë.

Po ju shërben eksperienca me ekipin aktual të moshave?

Është një eksperiencë shumë e mirë për mua me U19 Internacional. Kam një skuadër shumë të mirë me talente. Kushtet janë shumë të mira, më kanë këshilluar që unë duhet me patjetër të kisha një ekip moshash, sepse kështu bëjnë të gjithë trajnerët në Europë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"