Kukësi i ri, Gega sfidon Tiranën me Bashën dhe Berishën/ Ja si pritet të luajnë verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 20:22

Kukësi i ri, Gega sfidon Tiranën me Bashën dhe Berishën/ Ja si pritet të luajnë verilindorët

Në Kukës duan ta nisin mbarë kampionatin, edhe pse përballë do të kenë kampionët në fuqi të Tiranës. Verilindorët janë treguar shumë aktivë gjatë kësaj merkatoje vere, ku thuajse gjysma e titullarëve në fushë për këtë sezon pritet të jenë afrimet e fundit në klub, me shpresën se do të ingranohen shumë shpejt me pjesën tjetër ekzistuese të skuadrës.

Kukesi 5

Trajneri Skënder Gega është munduar që gjatë takimeve miqësore të zhvilluara gjatë fazës përgatitore në Turqi të gjejë ekuilibrat e duhur në skuadër dhe të krijojë idenë e formacionit ideal, edhe pse e pranon se në Kukës ka ende punë për të arritur aty ku duhet. Përgjatë këtyre ditëve të mbetura fokusi i vetëm do të jetë përballja ndaj bardhebluve, e cila do të luhet ditën e premte në orën 17:00 në qytetin e Kukësit, ndërkohë që është studiuar kundërshtari, duke parë me imtësi edhe ndeshjet e tyre të zhvilluara në Europë.

TITULLARËT – Pritet që Kukësi të fokusohet te baza e sezonit të kaluar, por aktualisht vetëm katër prej tyre me shumë gjasa do ta nisin nga minuta e parë. Anxhelo Tafas do të vijojë të ruajë portën si numri një, ashtu si edhe në të majtë, ku do të jetë Edison Ndreca, titullar i sezonit të vjetshëm.

Kukesi trajneret

Qendra e mbrojtjes do të ndryshojë totalisht, ku një vend fiks pritet t’i takojë portugezit Ferreira, ndërsa një midis Ilieskit dhe Iliçit do të luajë krah tij. Sakaq, shumë dilema ka edhe me krahun e djathtë, ku nëse luhet me katër ky vend do t’i takojë Rimal Haxhiut, i cili njihet si një lojtar që shtyn shumë përpara për në fazën ofensive.

Sakaq, në mesin e fushës “mbijeton” nga sezoni i kaluar vetëm kapiteni Gjelbrim Taipi, i cili pritet të ketë në krah Koten dhe një midis Moraesh apo Hasajt.

Gega Basha

Në sulm për momentin është menduar që ta nisë nga minuta e parë Daci, ndërsa Zivkoviç mendohet ta nisë nga stoli, ndërsa nga krahët duket i sigurt vendi i Edi Bashës. Mbetet e paqartë situata me të sapoafruarin Giasi, i cili për shkak të kohës së pakët në dispozicion do të duhet t’i lërë vendin Berishës.

kukesi

DËMTIMET – Në këto javë të para të kampionatit Gega do të jetë i privuar nga tre lojtarë, me Arbër Bashën që në fakt deri në janar pritet të mungojë, për shkak të një operacioni të kryer së fundmi nga dëmtimi i rëndë që pësoi. Shqetësime kanë shfaqur edhe mbrojtësi Redon Dragoshi me mesfushorin Shqiprim Taipi, pjesë e skuadrës edhe sezonin që kaloi.

Të dy lojtarët gjatë fazës përgatitore kanë kryer stërvitje të diferencuar dhe ende nuk janë në kushtet për të qenë të gatshëm për skuadrën, të paktën në këtë start kampionati. Ndërkohë, po punohet nga stafi teknik dhe ai mjekësor që të dy futbollistët të bashkohen me grupin sa më shpejt të jetë e mundur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"