Kukësi i ofron rinovimin, Ethemi: Besojmë te titulli deri në fund, ja cili është sekreti i formës pas rinisjes së kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 19:39

Kukësi i ofron rinovimin, Ethemi: Besojmë te titulli deri në fund, ja cili është sekreti i formës pas rinisjes së kampionatit

Kukësi po gjurmon talente, të cilët mundohet t’i shesë në tregun e huaj apo t’i mbajë në ekip derisa t’i transformojë në liderë. Një situatë e tillë ka ndodhur me Sindrit Gurin, të cilin e mori nga Korabi dhe e shiti për plot 720 mijë euro në Belgjikë.

Ethemi

E njëjta gjë po ndodh edhe me Valon Ethemin, të cilin ish-trajneri Mlladen Milinkoviç e zbuloi te Mamurrasi dhe tashmë ai është një ndër lojtarët më të kërkuar ne merkato. Ishte pikërisht Ethemi që shkëlqeu ndaj Tiranës, ndaj të cilëve realizoi një gol spektakolar, ashtu si edhe kundër Partizanit pak javë më parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 22- vjeçari konfirmon ekskluzivisht se është ulur në bisedime me klubin për rinovimin e marrëveshjes, duke qenë se kontrata aktuale i skadon pas përfundimit të sezonit. Ethemi komenton ecurinë në kampionat dhe shanset e skuadrës për të mbyllur këtë sezon me trofe.

Valon, shënuat një gol thuajse identik ndaj Tiranës, siç bëtë edhe kundër Partizanit. Çfarë mendove kur topi shkoi në rrjetë dhe rezultati ndaj bardhebluve shkoi 0-2 për Kukësin?

Jam i lumtur që kam mundur të shënoj në dy derbi të fituara ndaj skuadrave të  kryeqytetit, dhe të ndihmoja ekipin të merrte maksimumin nga këto ndeshje. Momenti i golit me Tiranën ishte lëvizje instiktive. Për një çast kam menduar se ajo do të ishte zgjidhja e duhur dhe fatmirësisht ashtu doli. Duke qenë në fund të ndeshjes, ai gol për 2-0 na dha qetësi dhe deri në fund administruam mirë avantazhin.

Po kaloni një formë mjaft të mirë pas rifillimit të kampionatit. Kush është sekreti?

Jo diçka e veçantë në fakt. Thjesht shumë punë dhe përkushtim, si në ndeshje, ashtu edhe në seancat stërvitore. Regjimi i mirë jashtë fushës sa i përket pushimit dhe ushqimit, por edhe përgatitja e duhur në aspektin psikologjik, ka ndikuar për mirë. Çdo gjë ka shkuar për mirë edhe me punën fizike. Vetes i imponoj uri për t’u bërë gjithnjë e më i mirë, për të ndihmuar skuadrën dhe pa vendosur limite apo të kënaqem se kam arritur gjithçka.

ethemi

Sa besoni te titulli tani pas kësaj fitoreje me Tiranën?

E kam thënë edhe më herët dhe e përsëris gjithë kohën se unë besoj te titulli deri sa matematika të na lejojë diçka të tillë. Fatkeqësisht, nuk varet vetëm nga ne, pasi jemi mbrapa me pikë. Megjithatë, jemi të bindur për të shikuar punën tonë, të fitojmë ndeshjet tona, e pastaj do të shikojmë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për titull.

Keni shpresa se Partizani mund të ndalë Tiranën në derbi?

Patjetër që kam shpresë. Derbi gjithmonë është i paparashikueshëm dhe dy skuadrat hynë me ambiciet e tyre. Tirana do titullin, Partizani kërkon Europën, pastaj të mos harrojmë prestigjin që bart kjo përballje për dy ekipet dhe për tifozëritë e tyre.

Keni dy ndeshje radhazi me Teutën për kampionat dhe Kupë, çfarë prisni?

Kukësi kërkon më të mirën në çdo ndeshje, pasi ne akoma jemi në garë për dy trofetë. Por t’i marrim gjërat me radhë. Fillimisht mendojmë për takimin e parë, ku jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi të lehtë përballë një Teute që meriton respekt maksimal. Pastaj do të mendojmë për ndeshjen e dytë dhe përballjet e tjera që pasojnë.

Fakti që ju mungon Shkurtaj, sa e dobëson ekipin?

Sigurisht që po. Është një element shumë i rëndësishëm për ne, dhe mungesa e Vasilit na penalizon. Por ky është futbolli, lëndimet e pezullimet janë pjesë e lojës dhe duhet të gjendemi edhe në situata të tilla.

Çfarë ndryshimi ka kjo skuadër nga ajo e gjysmës së parë të kampionatit kur trajner ishte Shpëtim Duro?

Ky ekip është me mentalitet të njëjtë prej fillimit të sezonit dhe nuk ka ndryshuar asgjë edhe në këtë fazë. Por gjatë sezonit, në faza të caktuara, ndodh që skuadra të mos jetë në formë, pavarësisht punës shumë të mirë që kemi bërë. Ne kemi humbur disa pikë ndoshta edhe për mungesën e fatit. Tani jemi në fazën e fundit të kampionatit dhe jemi karikuar me bindje se çdo hap fals na largon nga titulli.

Ethemi

Cila do të jetë e ardhmja juaj, te Kukësi apo diku tjetër?

Përqendrimi im është të mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, pastaj do të mendoj për të ardhmen. Mund të flitet shumë, por nuk e fsheh të vërtetën në asnjë moment. E kam thënë se klubi në janar më dha sinjale për rinovim, por pandemia ndryshoi gjithçka dhe deri tani nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim. Më e reja që po e zbuloj për ju është se përfaqësuesit e mi janë takuar me drejtuesit para ndeshjes me Bylisin, ku kanë diskutuar për të ardhmen.

Dhe cili është konkluzioni?

Nga klubi na kanë informuar se pas përfundimit të sezonit do të ulemi bashkë dhe do të kemi një ofertë për rinovim. Pra, Kukësi llogarit shërbimet e mia edhe për të ardhmen. Krahas thashethemeve, kjo është e vërteta. Të mbyllim sezonin si duhet, pastaj e shikojmë çfarë do të sjellë e ardhmja. Duhet të presim edhe pak, sepse jemi në situata jo të zakonshme, por dëshira pozitive ekziston. Kjo është situata ime.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"