Kukësi humbet zëvendës kapitenin, do mungojë 6 muaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 11:16

Kukësi humbet zëvendës kapitenin, do mungojë 6 muaj

Besar Musolli mbyll zyrtarisht vitin 2018. Edhe pse pati një lloj shprese se dëmtimi në gju të mos ishte aq i rëndë, dje është konfirmuar se mesfushori ka krociat. Ka qenë mjeku specialist ai që ka dalë në këtë konkluzion, pasi ka lexuar edhe rezonancën magnetike.

Besar Musolli 1

Fillimisht u tha që nuk kishte ndonjë gjë serioze dhe riaftësimi mund të bëhet për një muaj, por e kundërta ka ndodhur. Kosovari ka këputje ligamenti në gju dhe pa 6 muaj nuk mund të kthehet në fushën e lojës. Ka qenë vetë futbollisti që ka konfirmuar për “Panorama Sport” dje se shkalla e dëmtimit është më e rëndë seç pritej. Operacionit logjikisht nuk i shpëton dot, megjithatë vetëm më vonë do të përcaktohet dita dhe vendi ku mund të kryhet ndërhyrja.

auto_kukesi2-470x3131522158592

DËMTIMI – Javët e fundit janë shoqëruar me një sërë problematikash për Kukësin. Sikur të mos mjaftonte Simon Rrumbullaku dhe Ylli Shameti, tashmë u është shtuar edhe Besar Musolli. Pas përfundimit të ndeshjes më Teutën, verilindorët ishin në ankth për zv.kapitenin, pasi u detyrua që të linte fushën në fund të pjesës. Edhe pse përplasja që pati me një nga lojtarët durrsakë ishte e lehtë, në rënie e sipër u duk sikur kishte përdredhur gjurin. Dhimbjet ishin të mëdha, ndaj u zëvendësua direkt me Kalanë. Pas kontrolleve të para u dyshua për tërheqjen e një muskuli në pjesën e pasme të gjurit, por dyshimet u hodhën edhe për  këputje ligamenti. Mjekët e ekipit u vënë në “alarm” dhe vendosën në monitorim të rreptë kosovarit. Presidenti u “tërbua” dhe kërkoi që mesfushori të kryente rezonancë magnetike dhe të vizitohej nga specialistët më të mirë në vend. Dhe kështu ndodhi. Përtej mendimeve paraprake që mbajtën me shpresë Kukësin, leximi i rezonancës përcaktoi çdo gjë saktësisht.

ZËVENDËSUESIT – Me Musollin që ka krociat, logjikisht ai do të mungojë për të paktën 6 muaj. Kukësi do të humbasë një nga liderët e ekipit për më shumë se gjysmën e sezonit. Drejtuesit dhe sidomos Gjici është “xhindosur” nga ky fakt e stafi mjekësor ka marrë kritika, paçka se ata nuk kanë asnjë faj për këtë çështje, pasi dëmtimi i lojtarit ka ardhur thuajse nga hiçi. Detyra më e vështirë tashmë i mbetet stafit teknik dhe Armando Cungut, i cili duhet të bëjë llogaritë për të zëvendësuar mesfushorin dhe alternativat e vetme janë Vesel Limaj, Arlind Kalaja dhe Omar Ture.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"