Kukësi hap dyert për tifozët, Alijev rikthehet titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 9:58

Kukësi hap dyert për tifozët, Alijev rikthehet titullar

Kukësi luan sot në shtëpi, ku pret Lushnjën e vendit të fundit, të cilët gjithashtu kërkojnë pikë mbijetese në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Duke parë krizën e rezultateve që ekipi po kalon, ku në 6 ndeshje është marrë vetëm një fitore, verilindorët kërkojnë me çdo kusht tri pikët, prandaj dhe presidenti Gjici ka marrë vendimin që të hapë dyert e stadiumit “Zeqir Ymeri” për tifozërinë kuksiane.

Kukesi

Në 13 javët e këtij sezoni, tifozët vendës kanë qenë shumë të pakët në stadium, në krahasim me sezonet e shkuara, për të mbështetur ekipin, për shkak të protestave dhe kundërshtive për drejtimin e ekipit nga trajneri serb Mladen Milinkoviç. Klubi ka dalë dje me një komunikatë, ku njofton dhe për hyrjen falas.

Por, në njoftimin e bërë, klubi thekson se ndër mungesat për sot është dhe Rauf Alijev, i cili nuk është në shërbim të trajnerit. Por, krejt e kundërta po ndodh me atë, pasi azeri është grumbulluar, është stërvitur me ekipin dhe aq më tepër që pritet të luajë nga minuta e parë në formacion duke zëvendësuar Elton Kalen.

NJOFTIMI I KLUBIT: “Rreth orës 09:00 të ditës së sotme (djeshme) ekipi i Fk Kukësit është nisur për në qytetin verilindor, ku nesër (sot) pritet takimi me Lushnjën, i vlefshëm për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Ne shkojmë në këtë takim për fitore, gjë që do na e bëjë më të sigurt rrugën drejt titullit.

Kukesi

Pas akomodimit në hotel, ekipi do jetë i gatshëm për trajnerin Milinkoviç në stërvitjen e fundit për këtë sfidë në stadiumin “Zeqir Ymeri”, rreth orës 14:00. Përveç Kales, që nuk do të luaj, pasi është me 4 kartonë edhe Krkotiç e Alijev nuk do të jenë në shërbim të trajnerit Milinkovic. Nesër (sot) takimi do të luhet në orën 13:00 dhe hyrja për tifozët do të jetë falas. Të gjithë në stadium për të mbështetur ekipin kampion. Me ju, rruga drejt titullit është më e sigurt”.

FORMACIONI

Trajneri Milinkoviç iu dha fund përgatitjeve për Lushnjën me seancën e pasdites së djeshme që u zhvillua në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Kukësi është në kuotat më të dobëta historike në krahasim me sezonet e tjera që ata kanë marrë pjesë në Superiore, ku në 13 javë kanë grumbulluar 22 pikë, kanë shënuar 22 gola dhe janë ndëshkuar 13 herë.

Kukesi2

Trajneri serb ka humbur ndaj rivalëve kryesorë, 2 herë ndaj Skënderbeut, ndaj Partizanit në shtëpi dhe janë 9 pikë larg kreut të renditjes. Kjo javë është vendimtare për verilindorët, pasi mundësia për te rikuperuar pikë është e favorshme. Skënderbeu shkon në Laç, ndërsa Kukësi ka një ndeshje të lehtë në letër ndaj Lushnjës së vendit të fundit. Trajneri Milinkoviç ka menduar të hedhë ndaj lushnjarëve një formacion tërë- sisht sulmues.

Në portë luan Enea Koliçi, i cili i ka kaluar plotësisht problemet që pati në gju. Ish-kapiteni Rraman Hallaçi tashmë e ka humbur vendin e titullarit dhe në vend të tij luan Bujar Idrizi, të cilin trajneri Milinkoviç e ka preferuar për tiparet e tij sulmuese. Qendra formohet nga kapiteni Shameti dhe Hoxha, ndërsa Albi Alla e nis sërish nga stoli dhe Rrumbullaku në të majtë.

Mesfusha pritet të formohet nga Ethemi dhe Alijev në krahë, ndërsa Imami dhe Musolli në qendër. Alijev pritet të luajë në vend të Kalesë të pezulluar. Sulmi përbëhet nga Bakaj si fantazist e Guri në majë të sulmit, prej të cilëve stafi dhe presidenti Gjici presin gola.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"