“Kukësi gati për kthesën”, drejtori Nexhipi rrëfen startin e keq: Do të jemi në luftë për titullin deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 20:33

“Kukësi gati për kthesën”, drejtori Nexhipi rrëfen startin e keq: Do të jemi në luftë për titullin deri në fund

Dy humbjet që në start e tronditën jo pak ambientin te Kukësi. Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega vuajti edhe në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë ndaj Besës, paçka se u kualifikua.

Nderim Nexhipi

Megjithatë, ndryshimet e shumta në skuadër dhe fakti që lojtarët e ardhur gjatë merkatos e kanë për herë të parë aktivizimin në kampionatin shqiptar, ka bërë që ekipi të mos jetë ende aty ku dëshiron klubi. Por, sipas drejtorit sportiv të Kukësit, Nderim Nexhipi, ky është vetëm fillimi.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai shprehu bindjen se kthesa e skuadrës do të vijë që nga ndeshja e radhës në Durrës. Nexhipi komentoi situatën në ekip, humbjet dhe besimin që ka për ringritjen.

Nderim, dy humbje radhazi në startin e kampionatit. Çfarë nuk shkon?

Nuk ka qenë një nisje e mirë për ne këtë sezon. Kemi pasur përballë kundërshtarë që janë kandidatë direkt për titull apo për Europë, dy ekipe si Tirana dhe Partizani. Nuk kemi bërë ndeshje të mira. Ndaj Partizanit në pjesën e parë ishim mirë, mund të kishim shënuar, por më pas u ndëshkuam nga dy episode. Por, ky është vetëm fillimi.

Si po e tejkaloni këtë situatë, cili është plani juaj?

Në këtë pauzë të kampionatit fituam një takim jo të lehtë në Kupë ndaj Besës. Nuk kemi trajnerin për shkak të infektimit me “COVID-19” dhe po e presim me padurim rikthimin e tij. Stërvitja vazhdon normalisht dhe të gjithë jemi optimistë se skuadra do të reagojë, për të kthyer situatën në favorin tonë. Kam besim te kualitetet që kemi në ekip.

nexhipi

Si është gjendja e ekipit dhe a janë përshtatur tashmë lojtarët?

Ekipi është aty, kemi afruar lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë të madhe. Të gjithë, që nga presidenti dhe deri tek i fundit në ekip, kanë besim te këta futbollistë.

Është fakt që shumica nuk kanë luajtur më parë me njeri-tjetrin dhe do t’iu duhet pak kohë, por me durim dhe me vullnet, duke besuar te karakteri i këtij grupi dhe kualiteti i tyre, jemi të bindur në një ecuri të mirë në vijim. Fryma në grup është e mirë dhe besimi është i madh për të bërë kthesën në kampionat.

Do të luani me Teutën, është kjo ndeshje decizive për vazhdimësinë?

Është fakt që nuk e kemi nisur mirë kampionatin, këtë e dimë të gjithë. Kemi pasur një kalendar me rivalë direkt dhe ndeshja e radhës është e vështirë, por ne kemi besim dhe jemi të gatshëm të tregojmë forcën tonë. Shpresojmë që ditën e shtunë çunat të paraqiten shumë mirë dhe të marrim rezultatin e duhur, me qëllim që të na ndihmojë për objektivat e mëtejshëm të klubit.

Është Kukësi për titull këtë sezon?

Të gjithë i dinë ambiciet e klubit të Kukësit, sepse çdo vit lufton për titullin dhe kupë.  Edhe këtë sezon nuk ndryshon asgjë. Kemi sjellë lojtarë që kanë mjaft eksperiencë, të cilët së bashku me grupin mund ta marrin për dore ekipin, për të rikthyer ekipin te fitoret.

Mos të harrojmë që kampionati është shumë i gjatë, vetëm sapo ka nisur. Jam i bindur që brenda pak javësh Kukësi do jetë i kolauduar dhe shumë efektiv sa i përket rezultateve.

Nexhipi-2

Si po ia bëni tashmë që Gega nuk merr pjesë në procesin stërvitor?

Trajneri na mungon prej 10 ditësh. Është izoluar dhe shpresojmë që të shërohet sa më shpejt. Po punojmë me ndihmësit e tij, Rrahman Hallaçin dhe Iris Selimin. Unë jam aty çdo stërvitje dhe do të bëjmë maksimumin për të drejtuar ekipin drejt më të mirës.

16 largime dhe po kaq afrime gjatë merkatos. Ju ka mbetur ndonjë peng?

Nuk kam ndonjë peng nga merkato. Lojtarët që janë larguar kanë ikur se ne si staf kemi vendosur ashtu. Është Ethemi ai që është larguar duke pasur kontratë me klubin dhe janë marrë masat për të në aspektin ligjor, por edhe për Musollin dhe Maliqin gjithashtu.

Normalë që ata lojtarë që janë larguar e ritheksoj, ikën se kemi vendosur në si staf ashtu. Se ai përket pjesës tjetër, kemi bërë shumë afrime cilësore. Lojtarët po lidhen me njëri-tjetrit dhe një rezultat pozitiv do të na bënte mirë si grup. Kam besim te kjo skuadër dhe shumë shpejt do të shikojmë forcën e këtij grupi. Po punojmë që të forcojmë grupin, premisat janë shumë të mira. Jemi në garë, është vetëm fillimi.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"