Kukësi-Flamurtari, plas “sherri” për arbitrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2018 | 10:48

Kukësi-Flamurtari, plas “sherri” për arbitrin

FSHF ka publikuar dhe emrat e gjyqtarëve që do të arbitrojnë dy ndeshjet e sotme. Në ndeshjen Kukësi-Flamurtari që do të luhet në Kamzë është caktuar kryesor Blerim Ziri, ndërsa asistentë të tij do të jenë Endrit Veseli dhe Erind Burgu. Menjëherë sapo është vënë në dijeni të treshes së gjyqtarëve, ka reaguar ashpër klubi i Flamurtarit, duke e cilësuar të papërshtatshëm arbitrin kryesor për një ndeshje si kjo e sotmja.

blerim ziri

Sipas vlonjatëve, Blerim Ziri ka lidhje farefisnore me drejtorin e Kukësit, Ramadan Ndreu, dhe kjo përbën konflikt interesi të hapur. Ata i kujtojnë Zirit edhe gafat e sezonit të kaluar, teksa lënë të kuptohet se bëhet fjalë për ndeshjen Luftëtari-Teuta 2-3, kur arbitri nga Fushë-Kruja bëri gabime të rënda dhe prej atëherë nuk gjykoi më në Kategorinë Superiore deri në fund të sezonit. Flamurtari i ka kërkuar federatës të reflektojë, pasi nuk e pranon Zirin sot në Kamzë.

ramadan ndreu

REAGIMI “Klubi i Flamurtarit, pas kartonëve të panumërt të marrë ndeshjen e kaluar dhe pas pezullimit të Bathës prej pamjeve filmike, kur moviola ndërhyri në mënyrë absurde për të ndryshuar vendimin e gjyqtarit, gjejmë rastin të ankohemi publikisht për zgjedhjen e gjyqtarit Blerim Ziri, për ndeshjen kundër Kukësit, të premten në Kamzë. Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave nuk mund të gjykohet nga një gjyqtar që ka drejtuar vetëm një ndeshje sivjet në Superligë (jo rastësisht) Kukësi-Kamza. Vjet ai u pezullua për skandale të tilla. Veç lidhjeve farefisnore me drejtorin e Kukësit, Ramadan Ndreu, personi në fjalë nuk ka shkelur më shumë se dy herë në vitin e fundit në fushën e lojës. Pa asnjë lloj paragjykimi, vetëm bazuar në fakte, kërkojmë që kjo luftë e hapur ndaj Flamurtarit të mbyllet. Mes shumë gjyqtarëve, ne pranojmë cilindo me përjashtim të nipit të Ndreut”, shkruhej në deklaratën e klubit vlonjat.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"