Kukësi e nis vitin me llogari, verilindorët “shpëtojnë” nga… të huajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2023 | 11:53

Kukësi e nis vitin me llogari, verilindorët “shpëtojnë” nga… të huajt

Teksa në Kukës kanë ende shumë gjëra për të zgjidhur në këto ditë të para të janarit, siç është ajo e trajnerit apo merkatos, shumë shpejt po afron edhe sfida e parë e këtij viti, ajo me Bylisin në transfertë. Duke iu referuar klasifikimit që mbajnë aktualisht ekipet, mund të shihet si një duel direkt për mbijetesën, ndaj shihet si një sfidë e rëndësishme.

Kukesi

Mirëpo, me ditët që ecin dhe shtatë largimet zyrtare të deritanishme, Kukësi duket se do të jetë i përgjysmuar në këtë përballje. Edhe në rastin më të mirë, sikur mos të ketë të tjera largime dhe të sigurohen afrime, sërish verilindorët nuk do të jenë në kondicionin e tyre më të mirë.

Një situatë që nuk i shkon shumë për shtat Kukësit dhe do të jetë një sipërmarrje jo e lehtë për teknikun Hallaçi (nëse do të konfirmohet në detyrë) që të përgatisë titullarët përpara kësaj ndeshjeje delikate.

Me shumë gjasa në ndeshjen e parë ndaj Bylisit, skuadra do të përqendrohet edhe te lojtarët që aktualisht janë pjesë e akademisë dhe tek ata që gjatë këtij sezoni më shumë kanë qëndruar në stol për shkak të mungesës së hapësirave.

Edhe në dy sfidat e fundit tekniku i dha më shumë hapësira lojtarëvetë rinj, duke parë mungesat që ka pasur këtë periudhë. Mesa duket, e njëjta gjë do të përsëritet edhe ndaj Bylisit.

TË HUAJT – Gjithsesi, largimet kanë sjellë edhe një të “mirë” te Kukësi. Thuhet kështu, pasi nga skuadra janë larguar gjashtë të huaj, në një kohë që jo të gjithë mund të luanin njëkohësisht, pasi sipas rregullores vetëm pesë prej tyre mund të ishin në fushë.

Në një situatë të tillë, edhe pse me një kontingjent të cunguar, skuadra do të zbresë në fushë me më të mirët që ka në dispozicion, pa u privuar nga fakti i të huajve.

Këtë aspekt në Kukës e shohin si pozitiv, ndaj edhe largimi itë huajve nuk ka qenë thjesht rastësor, por në klub kanë ecur me llogari.

Llogaritë e bëra në fillim të sezonit me kontingjentin e të huajve nuk u bënë mirë dhe duket se në Kukës kanë zënë mend, duke mos e mbipopulluar me lojtarë që përpos kualiteteve që mund të kenë, e kanë të pamundur të jenë në fushë njëkohësisht.

Me pak fjalë, ndaj Bylisit pritet të jetë një Kukës me më shumë shqiptarë, për më tepër edhe kuksianëtë akademisë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"