Paga e nëntorit e “ngrirë”, Kukësi e jep për… fitoren. Skënderbeu do arratinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2017 | 11:40

Paga e nëntorit e “ngrirë”, Kukësi e jep për… fitoren. Skënderbeu do arratinë

Skënderbeu-Kukësi vlen shumë më shumë se një trepikësh. Nëse korçarët synojnë arratinë pas këtij 90-minutëshi, kuksianët luajnë edhe për rrogat. Presidenti Safet Gjici nuk i kurseu kritikat dhe masat ndaj lojtarëve për asaj humbjeje me Partizanin, duke i penalizuar me dy rroga gjobë.

Kukesi-Skenderbeu

Por situata ka ndryshuar ndjeshëm pas fitores në Laç, rimarrjes së vendit të dytë dhe goleadës në Kupë përballë Erzenit. Futbollistët prisnin që numri një i klubit të bënte “prapaktheu” dhe, para sfidës me Skënderbeun, t’u shpërndante pagat. Dhe kështu ngjau.

Ai urdhëroi zyrën e financës që dy ditë më parë, pra të enjten, të bënin gati pagesat e futbollistëve dhe vetëm dje patën mundësi që të merrnin rrogën e muajit tetor. Pra, praktikisht u “fal” vetëm një nga pagat që fillimisht u komunikua si gjobë. Nëse tetori u shlye, nëntori mbetet ende pezull. Sa për kujtesë, likuidimi i çdo muaji bëhet më datë 20 të muajit pasardhës, pra mbetet për t’u parë nëse do ta marrin apo jo rrogën e nëntorit, më 20 dhjetor. Dhe kjo pagë mbetet “e ngrirë”.

Kukesi-Skenderbeu Zeqir Ymeri

E vetmja mënyrë që verilindorët ta përfitojnë, është fitorja përballë Skënderbeut kryesues. Tri pikët në Korçë do t’u mbushnin xhepat lojtarëve. Madje, mund të trajtohet edhe si shpërblim, sidomos kur dihet që pagat e futbollistëve janë realisht të larta. E thënë ndryshe, një fitore për Kukësin do t’i jepte edhe miliona.

Safet Gjici synon që ekipi të karikohet para sfidës me korçarët, të cilëve kampionët kërkojnë që t’u kthejnë reston mbas humbjes 0-1 ndaj tyre. Zemërgjerësia e presidentit do t’u shërbejë si një stimul më shumë lojtarëve, pa harruar çështjen e tabelës së renditjes. Por, edhe në kampin tjetër, kanë shumë për të përfituar.

Kukesi-Skenderbeu

Me barazimin e arritur në kryeqytet, ata “likuiduan” Partizanin si rival për titull (duke e lënë pas me 13 pikë më pak). Të njëjtën strategji kanë në plan për të ndjekur edhe sot ndaj Kukësit që pozicionohet një vend më poshtë në renditje. Ata synojnë që të shkëputen me 9 pikë dhe rrjedhimisht t’i shtojnë “autostradën” vetes për të fituar titullin kampion. Edhe një pikë nuk do të ishte dramatike për bardhekuqtë, pasi minimalisht do të ruanin diferencat në 6 pikë.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"