“Kukësi do rikthehet fuqishëm”, thirrja e Gjicit: Duro nuk ikën po fitoi titullin, do luajmë te stadiumi i ri nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 23:40

“Kukësi do rikthehet fuqishëm”, thirrja e Gjicit: Duro nuk ikën po fitoi titullin, do luajmë te stadiumi i ri nëse…

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, foli ditën e sotme rreth gjendjes së ekipit të tij në këtë kampionat.

safet gjici

I ftuar në studion e “Zona Gol”, Gjici u shpreh se pret që Kukësi të rikthehet fuqishëm në kampionatin shqiptar, ndërsa tregoi se nëse trajneri Duro do sjellë titullin, do vijojë të jetë në krye të ekipit.

Nga ana tjetër, Gjici u shpreh se pret që stadiumi që po ndërtohet në Kukës të mbarojë rreth muajit qershor apo korrik, ndërkohë që deklaroi se në ndonjë ndeshje të rëndësishme, të luajë edhe në “Air Albania Stadium”.

KUKËSI SI JUVENTUSI – Nuk mund të krahasohemi me ekipet e Italisë, por Kukësi është Kukësi. Nuk është atje ku dëshironim deri tani, por kapacitetet i ka. Kemi vështirësitë tona me fushën e stadiumin, të gjitha ndeshjet i kemi jashtë. Por, këto nuk janë justifikime për ecurinë jo të mirë deri tani. Kukësi do rikthehet frikshëm në kampionat.

REAGIMI NDAJ BYLISIT – Në pjesën e parë nuk më pëlqeu shumë ekipi. Abazaj shënoi, dhe është gjë e mirë se ka qenë i dëmtuar, por nuk më pëlqeu. E dyta ishte më mirë. Ballshi ka një ekip të mirë, por akoma nuk janë atje ku presim, të gjithë si ekip. Hëngrëm një gol që nuk duhej ta pësonim, për faj ndoshta edhe të mbrojtjes. Me rëndësi është që morëm 3 pikët, dhe jemi afër vendit të parë.

AFËRSIA ME KLUBIN – Kur jam afër, thoni që ekipi ka presion. Mendova që edhe të largohem. Normale që në çdo punë, i pari i punëve duhet të jetë në krye. Unë kam dhe staf për ekipin, por kam edhe punën tjetër. Kemi ingranuar edhe një pjesë të stafit të merret me ekipit. Kur kam kohë, jam pranë. Axhenda e punës që kam në Kukës është e rëndësishme. Duhet një kohë që ekipi të lidhet. Edhe dëmtimet na kanë ndikuar. Po të luanim në Kukës, do ishim në vend të parë me pikë diferencë. Jemi mirë, por presim akoma më shumë. E kemi rifreskuar ekipin, mosha mesatare është 26 vjeç.

RIVALËT – Rivalët e përhershëm do jenë në lojë deri në fund. Me një fitore shkon në krye, dhe kampionati është i ngjeshur. Pas shkurtit, besoj se do shihen realisht ekipet që do jenë për kampion. Ne nuk heqim dorë nga titulli, dhe do jetë kampionat i fortë deri fazën e tretë. Pastaj do ndahen ekipet për objektivat.

TRAJNER AFATGJATË – Skënderbeu ka pasur trajnerë sepse ka dalë kampion për shumë vite. Përndryshe nuk do rrinte për 3 vite atje. Ky trajner që është, ka bërë dhe hapa fals, jemi aty afër. Besoj se po të ecim me këto ritme, me lojtarë cilësorë, mundësitë dhe shanset më të mëdha për titullin i ka Kukësi. Janë bërë akoma pak ndeshje, dhe kampionati do jetë shumë i fortë deri në fund. Do rivalizohet mes disa ekipeve, dhe nëse dalim kampion, trajneri nuk ka pse të lëvizet.

STATISTIKAT – Në futboll ndonjëherë nuk hynë në punë, por them që pres më shumë, sepse realisht duan kohën e vet të lidhen lojtarët dhe të harmonizohen. Me rikthimin e 4-5 lojtarëve të dëmtuar, ekipi do ketë një trajtë tjetër për më vonë. Kjo varet si do menaxhohet nga stafi.

AKADEMITË – Ne kemi blerë lojtarë çdo vit, dhe akademitë në Shqipëri, jo vetëm Kukësi, nuk po prodhojnë shumë. Kemi menduar të bëjmë stadiumin, shtëpinë kryesore si fillim, dhe më pas do krijojmë edhe akademitë, nga ekipi U-6, deri tek U-21, dhe të marrim sa më shumë prodhime nga zona e Kukësit, apo Prizrenit, Gjakovës, Hasit e Tropojës. Me bërjen e stadiumit, që shpresoj ta mbyllim deri nga qershori e korriku, të bëjmë edhe një akademi që të paktën 50% të kemi nga prodhimi jonë.

STADIUMI I RI – Besoj se nga qershori i vitit tjetër ta mbyllim. Po rri vetë mbi kokë në Kukës, që punimet të ecin mbarë. Kemi bërë edhe disa ndryshime të vogla në projektin e stadiumit. Nuk e di tarifën e FSHF për stadiumin e ri. Nëse do jetë e përballueshme nga Kukësi, pse jo. Nëse do jetë shumë e shtrenjtë, do zgjedhim Elbasanin. Nëse do jetë ndonjë ndeshje e rëndësishme, me lejen e FSHF-së do luajmë edhe aty.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"