Kukësi dhe derbi, dy javë zjarri për Tiranën. Bardheblutë luajnë gjithçka në dy sfida

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 8:53

Kukësi dhe derbi, dy javë zjarri për Tiranën. Bardheblutë luajnë gjithçka në dy sfida

Tirana luan në 180 minuta provën e madhe nëse është ekip pretendent për titull. Brenda dy takimeve rresht, skuadra më e titulluar e Shqipërisë duhet të luajë me nënkampionët dhe kampionët e Shqipërisë. Dy sfida që në fazën e parë i ka humbur dhe pikërisht pas këtyre ndeshjeve, te bardheblutë nisi kriza e madhe, që pasoi me shkarkimin e Ardian Memës nga Tirana dhe vendin e tij tashmë e mban Julian Ahmataj. 

tirana

Fatkeqësisht, dy përballjet vijnë në një nga momentet më të këqija të Tiranës, e cila ka humbur në Korçë, duke marrë një goditje të fortë jo vetëm nga humbja, por edhe dorëheqja dhe kthimi i saj nga Julian Ahmataj. Për ironi të fatit, kundër Kukësit dhe Partizanit luhet shumë. Duke filluar nga prova e forcës, nga stoli i trajnerit dhe deri tek e ardhmja e skuadrës për këtë sezon.

PROVA E FORCËS – Në vetvete dy sfidat me Kukësin dhe Partizanin janë në njëfarë mënyre prova force për Tiranën. A është skuadra për titull apo ka qenë një ekip i mbivlerësuar? Nëse ia del të fitojë me dy skuadrat që janë nënkampionia dhe kampionia e Shqipërisë, atëherë bardheblutë mund ta kenë kaluar krizën e rezultateve, duke iu bashkuar pretendenteve për titullin kampion. Me dy fitore, ajo e Tiranës do të ishte një provë force para syve të opinionit publik.

tirana

KTHESA E SEZONIT – Fitorja me Kukësin për Tiranën do të thoshte edhe kthesë për të  gjitha rezultatet e këqija që ka arritur deri më sot. Katër apo gjashtë pikë do të thoshin kthesa e fazës dhe gjetja e vetvetes dhe kampionati nuk do të ishte hedhur poshtë nga bardheblutë, ashtu siç kanë bërë rëndom këtë sezon. Do të kthenin drejtimin e rezultateve të këqija në rezultate të mira dhe në fund do të shpëtonin shumë koka lojtarësh.

julian ahmataj

 

Trajneri – E fundit dhe jo më pak për nga rëndësia është çështja se çfarë ndodh nëse Tirana dështon këto dy javë. Është e sigurt që Julian Ahmataj do ta ketë të pamundur të qëndrojë te Tirana. Nuk e lejon sedra e tij dhe rezultatet. Do ta ketë pothuajse të pamundur që të luftojë për titull, pasi në këtë moment që flasim, Partizani është gjashtë pikë larg dhe një humbje do të thoshte jashtëzakonisht shumë për bardheblutë që nuk fitojnë në derbi afërsisht prej gjashtë vitesh.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"