Kukësi afron Lladrovcin nga Ferronikeli, mungon Nika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2016 | 10:03

Kukësi afron Lladrovcin nga Ferronikeli, mungon Nika

Kukësi ka bërë goditjen e radhës në merkato, pasi dje me skuadrën është bashkuar edhe qendërmbrojtësi Lapidar Lladrovci. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe më parë nga “Panorama Sport”, por vetëm dje futbollisti ka pasur një takim me drejtuesit e klubit verilindor dhe në ditët në vijim pritet që të firmosë zyrtarisht kontratën.lapi Afrimi i 25-vjeçarit, i cili ka luajtur me Ferronikelin në Superligën e Kosovës, është një alternativë më shumë për trajnerin Duro, duke qenë se qendra e mbrojtjes është e blinduar me Malotën dhe Shametin. Por, në rast të dëmtimi apo mungesë të tyre, lojtari i afruar do të japë më shumë siguri, por pse jo mund të jetë edhe një nga titullarët e ekipit.

Ndërkohë, sulmuesi 35-vjeçar Mario Mijatoviç ka vazhduar dje stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës. Burime pranë klubit kanë bërë me dije se ai ka firmosur zyrtarisht me drejtuesit, por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga drejtuesit.

Mijatoviç ka firmosur një kontratë gjashtëmujore dhe për afrimin e tij ka insistuar trajneri Duro, pasi ka luajtur me lojtarin në Austri. Nga ajo që është parë gjatë seancës stërvitore, është vënë re se lojtari gëzon një formë relativisht të mirë fizike, por megjithatë pritet që ai të justifikojë besimin në fushën e lojës.

Mungesa – Në takimin ndaj Bylisit, trajneri Duro nuk do të ketë të gatshëm shkodranin Ansi Nika, i cili ishte projektuar për të luajtur në formacion. Mesfushori është duke kaluar një gjendje gripale dhe po mjekohet në shtëpinë e tij në Shkodër, edhe pse nga mjekët i është rekomanduar që duhet të shtrohej dhe të merrte mjekimet në kushte spitalore.

Pritet që lojtari të mungojë rreth 10 ditë dhe trajnerit Duro tashmë i duhet të mendojë për një zëvendësim në formacionin e ekipit të tij. Ndeshja ndaj Bylisit do të jetë një barometër për skuadrën e Duros, pasi këtij të fundit i është lënë dorë e lirë në merkato për të ndërtuar skuadrën që dëshiron, me kusht që ekipi të renditet në vendin e tretë në mbyllje të kampionatit. Gjithashtu presidenti Gjici ka kërkuar nga skuadra e tij edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"