Kukësi 90 minuta larg shpëtimit, me Erzenin mund të mbyllet “makthi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 0:08

Kukësi 90 minuta larg shpëtimit, me Erzenin mund të mbyllet “makthi”

Kukësi mori një pikë të artë në Ballsh sa i përket mbijetesës, duke qenë vetëm 90 minuta larg sigurimit të qëndrimit në elitë.

Kukesi festa

Rezultatet që prodhoi kjo javë, që sapo lamë pas, i shkuan për shkak kurbinasve, të cilët mbajtën distancën +4 nga Bylisi, si edhe përfituan nga ndalesat e Kastriotit dhe Erzenit, tre kundërshtarët që janë aktualisht poshtë bluve dhe që në njëfarë mënyre janë rivalët për mbijetesën.

Megjithatë, matematikisht Kukësi nuk ka siguruar asgjë, sepse rrezikon jo vetëm “play out”-in, por edhe rënien direkte, ndaj duhet kujdes të paktën në sfidën e ardhshme.

LLOGARITË – Me një llogari të thjeshtë, blutë kanë shansin që këtë të enjte ndaj shijakasve të mbyllin matematikisht edhe hesapet për mbijetesën nëse arrijnë të marrin fitoren.

Përballja do të luhet në “Kukës Arena” me tifozët e tyre në krah dhe rivalë do të kenë një kundërshtar që nuk fiton prej nëntë takimesh radhazi dhe vjen me një moral të copëtuar. Në një situatë të tillë, verilindorët kanë mundësinë e artë të mos e lënë për në javën e fundit fatin e sezonit, ndaj mobilizimi do të jetë maksimal për ta mbyllur gjithçka një javë para kampionatit.

Nëse më pas verilindorët arrijnë të barazojnë, gjithçka do të mbetet e hapur në javën e fundit, sepse shijakasit do të qëndronin vetëm dy pikë larg dhe mund të rrezikohej më pas edhe nga Bylisi nëse do të fitonte në përballjen e saj. Situata komplikohet ndjeshëm në rast të një humbjeje, sepse do të zbriste në zonën e “play out”-it.

Do të ishte Erzeni që do t’i parakalonte në renditje dhe fatet e mbijetesës në mënyrë direkte nuk do të ishin më në dorë të kuksianëve. Për këtë arsye, Kukësi i bën llogaritë vetëm me fitore këtë të enjte, sepse i jep fund dilemave me mbijetesën.

SITUATA – Mirëpo, edhe pse Kukësi është vetëm një ndeshje larg arritjes së objektivit, situata në kampin verilindor nuk është aq e qetë. Kjo, duke parë se si shkoi ndeshja me Bylisin, ku në superioritet numerik me shumë mund arritën të dilnin me një pikë, duke treguar presionin e madh që është në ekip. Madje, edhe vetë tekniku Hallaçi nuk i la pas kritikat ndaj të tijve.

Gjithsesi, duke parë se shumë shpejt vjen ndeshja që vlen sezonin, ekipi do të jetë i fokusuar këto dy ditë vetëm te finalja me Erzenin. Një fitore të enjten, do të shuante ndoshta çdo polemikë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"