Kukeli: Nuk kemi pse të ndryshojmë pas çdo ndeshjeje, s’kam koment për Xhakën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2017 | 15:19

Kukeli: Nuk kemi pse të ndryshojmë pas çdo ndeshjeje, s’kam koment për Xhakën

I qetë edhe në përgjigje, por aq sa dhe me topin në zotërim. Burim Kukeli e quan të pamerituar humbjen ndaj Italisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shkon më tej duke deklaruar se penalltia e akorduar për ta nuk ishte e saktë, si dhe që Shqipëria e bëri Italinë të humbiste në cilësi dhe të luante keq.

Kukeli - Zapakosta

E meritoi Italia fitoren, apo Shqipëria gaboi shumë?

Mendoj që nuk kemi merituar të humbasim në këtë ndeshje. Sipas meje, kemi bërë një lojë të mirë kundër një skuadre që është shumë e mirë.

Një ndeshje në të cilën luajtët si qendërmbrojtës, jashtë rolit tuaj, a pati ndonjë moment që ishit në vështirësi?

Ka pasur momente të vështira gjatë ndeshjes, mirëpo them që kemi qenë të organizuar dhe të vendosur mirë në fushë. Këtë e bazoj edhe në faktin që Italia nuk pati shumë raste për shënim. Madje, edhe dy golat i realizuan në goditje standarde.

Kush ishte më i rrezikshëm, Beloti apo Imobile?

Paraprakisht e dinim që në fillim që dy sulmuesit e Italisë kuptohen shumë mirë mes tyre dhe janë të rrezikshëm përpara portës. Megjithatë, e përsëris edhe një herë që nuk patëm shumë herë rrezik.

Ku gaboi Shqipëria në këtë ndeshje?

E nisëm shumë mirë këtë takim me dy raste të menjëhershme për të shënuar. Mirëpo, në momentin tonë më të mirë, kundërshtari fitoi një penallti dhe realizoi. Për mua, nuk ishte penallti ajo që u akordua, për vetë faktin se sulmuesi e kishte humbur zotërimin e topit.

Italia nuk shkëlqeu, edhe pse fitoi. Mendoni se nuk u impenjua maksimalisht, apo se Shqipëria e detyroi që të luante keq?

Ishte një ndeshje e vështirë edhe për ata. Ndoshta është e vërtetë kjo që thoni ju se ata nuk kanë bërë lojën më të mirë, mirëpo unë dua të shtoj se edhe ne jua kemi vështirësuar lojën.

Kukeli vs Verrati

Me kalimin tuaj në mesfushë, skuadra fitoi metra në fushë dhe nisi të rrezikonte më shumë. A mendoni se ka ardhur koha që kjo skuadër me këtë grup lojtarësh të sulmojë më shumë?

Nuk mendoj se duhet që gjithmonë të bëjmë ndryshime. Them që, në ndeshjet që kemi zhvilluar këto vitet e fundit, shumë ekipe të mëdha kanë pasur vështirësi në përballjen me ne. Normalisht që ne duhet të përmirësohemi çdo herë.

Çfarë na pengon për të shënuar, mungesa e rasteve, mungesa e saktësisë përpara portës apo fakti që skuadra qëndron shumë mbrapa në fushë?

Edhe në sfidën e fundit ndaj Italisë u pa që kishim raste për të shënuar, e kush më tepër sesa sulmuesit kanë dashur që të realizojnë. Mirë- po, ndonjëherë është edhe fati shumë i rëndësishëm që vendos.

Pas tri humbjesh radhazi, për çfarë mendoni se shërben miqësorja ndaj Bosnjë-Hercegovinës?

Çdo ndeshje që ne zhvillojmë me Kombëtaren, është e vlefshme, pa menduar nëse është kualifikuese apo miqësore. Fakti që kemi minuta në fushë me njëri-tjetrin përballë një kundërshtari të caktuar, është pozitiv.

Si e vlerësoni largimin e Xhakës dhe situatën që është krijuar në Kombëtare?

Nuk kam koment.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"