Kuka: Më “dogji” anësori. Nga ai gol, FSHF më hoqi stemën e FIFA-s!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2019 | 23:37

Kuka: Më “dogji” anësori. Nga ai gol, FSHF më hoqi stemën e FIFA-s!

UVIL ZAJMI

I vlerësuar ndër më të mirët e kohës, arbitri i FIFA-s, Hyqmet Kuka, ishte vërshëllima e atij takimi të paharruar. “Nuk ka qenë asnjëherë e lehtë të arbitroje një derbi tiranas, veçanërisht atë Partizan-17 Nëntori, me histori në të kaluarën, rivalitet të pandarë sportiv në vite e dekada dhe me lojtarë cilësorë në atë periudhë”, thotë. Pas 30- viteve, 70-vjeçari Kuka i rikthehet atij goli, ruan në kujtesë me saktësi çastin dhe si u mor vendimi i bujshëm, i shoqëruar me polemika e me pasoja për të.

hiqmet kuka

Z.Kuka, ju kujtohet momenti?

Ka qenë pjesa e dytë, fundi i ndeshjes, ishte një aksion pa pretendime, me topin që përfundon në duart e Mustës nga porta e qytetit. Ai e largoi menjëherë dhe goditja e rrufeshme e Muçës ishte aq e shpejtë, sa kur jam kthyer, e kam parë topin duke u futur në portën e Partizani. Gjithçka në 3-4 sekonda.

Të papërgatitur për një situatë të tillë?

Sigurisht, edhe të befasuar. I sigurt për gol të rregullt, ende pa vërshëllyer, i hedh një vështrim të shpejtë asistentit për të marrë edhe aprovimin e tij, kur shoh Ndrekën me flamurin lart. Vrapova tek ai, largova disa futbollistë që e kishin rrethuar, e pyes, më thotë për pozicion jashtë loje të dy lojtarëve të 17 Nëntorit.

partizani 17 nentori hiqmet kuka

Mund ta merrnit ju vendimin?

Unë kisha mendimin se goli ishte i rregullt, për aq sa munda të konstatoj, kur ai më tha që ishin në pozicion jashtë loje Minga me Kolën, më krijoi dyshime. “Ata nuk morën pjesë në aksion apo ndikuan në rrezen e portierit”, i thashë. Por, duke këmbëngulur në të tijën, e për të ruajtur bashkëpunimin, respektova mendimin e Ndrekës.

Si reaguan lojtarët, sepse ju u akuzuat edhe për tolerime…?

Ndeshja e ndërpre për pak minuta, pati protestime. Duke qenë fundi i lojës, i kampionatit, një takim pa shumë probleme, gjykova se kartonët ishin të panevojshëm. Por, kur situata pas anulimit të golit u tensionua, duhet të kisha reaguar e ndëshkuar disa futbollistë.

Pati pasoja për ju dhe si e gjykoni sot?

Mua më hoqën stemën e FIFA-s në kulmin e formës, kurse Ndrekën e pezulluan përgjithmonë. Si e gjykoj sot? Nuk kam ndryshuar mendim, si atëherë e vlerësoj të rregullt, por nuk kam mundësi ta rikthej vendimin e të “vendos drejtësi”. Kanë kaluar shumë vite!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"