“Kujto se çfarë bëtë vjet”, Abazaj replikon me Kashamin: Një trajner emergjencash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 19:34

“Kujto se çfarë bëtë vjet”, Abazaj replikon me Kashamin: Një trajner emergjencash

Pogradeci doli i humbur përballë Besës dhe Ardjan Abazaj foli ashpër pas asaj ndeshjeje, duke shfryrë ndaj gjykimit dhe mënyrës se si kundërshtari luajti. Nuk vonoi përgjigjja e Ndriçim Kashamit, i cili po nuk u kursye aspak. Trajneri i kavajasve e quajti jo normale deklaratën e kolegut të tij, që e quante të turpshme formën se si luajtën dhe ngrinte dyshime për angazhimin që do të kenë me Tomorin.

Abazaj

Por, nuk mund të mbetej me kaq. Pasi ka lexuar deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, vjen kundërpërgjigjja e trajnerit të pogradecarëve. “Po e filloj me një pyetje për Kashamin. Kush prej nesh i ka kërkuar të toleronte? Përgjigjen na e dha ai vetë në fakt, teksa thoshte:

‘Askush nuk ma ka kërkuar’. Besoj se me këtë fjali të gjithë e kuptojnë se kush jemi, çfarë karakteri kemi dhe si luajmë ne në kampionat. I them Kashamit që ekipi i Pogradecit nuk është për lëmoshë dhe nuk kërkon kurrë ndere dhe favore sikurse nuk luan në kurriz të asnjë ekipi. Unë pas ndeshjes kontestova gjykimin dhe është luajtur nga Besa vetëm 60 minuta lojë. Madje, kam thënë se kështu kërkoj ta shikoj Besën edhe në ndeshjet e tjera. Por, po ju them tani se nuk do ta shoh të luajë kështu. Me mjaft ëndje do ta ndjek dhe të shohim kush do të ketë të drejtë”, shprehej fillimisht 52- vjecari. Ai ka diçka të drejtpërdrejtë edhe me Kashamin, që e cilëson trajner emergjencash.

“Po të kujtoj o trajner i emergjencave, që shfaqesh vetëm në momente të tilla, se edhe sezonin e kaluar ka ndodhur e njëjta gjë dhe këtë nuk e mohon dot. Ta sjell këtë sa për kujtesë dhe një argument, pasi unë flas vetëm me fakte. Ne nuk do të jemi pjesë e asnjë aleance, do të luajmë vetëm për të realizuar objektivin tonë. Nuk është e moralshme dhe e ndershme të luash kundër investimeve dhe punës së ekipeve. Ne nuk e prishim garën, ju siguroj edhe një herë.

Sa për atë që Kashami sjell si shembull se me kë mund të bënte aleanca, unë nuk kam përmendur asnjë emër, pasi i respektoj të gjithë, por nuk e di pse ai mori si shembull Egnatian. Gara do të vazhdojë dhe ju siguroj se Pogradeci do të jetë në vendin e dytë”, përfundoi Abazaj.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Të thuash turp që fiton, tani po e dëgjoj…”, Kashami i kthehet Abazajt: Mos prisje të ta linim ndeshjen?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"