Kujdes trajneri Cungu, lëri 5 golat të ngjiten në qiell si tullumbacet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 22:01

Kujdes trajneri Cungu, lëri 5 golat të ngjiten në qiell si tullumbacet!

GËZIM SINEMATI

Gjetkë zbulohet një shprehje që vlen sa një gol i madh se “të vdekurit dinë të heshtin më mirë se kushdo tjetër”. Dhe kur ne “vdesim” në lojën e futbollit dhe funerali na ndodh pikërisht në Europë, duket si një gjest fisnik të zgjedhësh heshtjen më mirë se fjalët. Kukësi mori 5 gola nga Torpedo Kutaisi, në një ndeshje ku rezultati mund të kishte qenë edhe më tragjik se shuplaka me gola, por goja nuk mbyllet.

Screenshot_45

Ndofta, duke treguar se ka më shumë cilësi se këmbët. I vetmi që rebeloi pas ndeshjes-nokaut me Torpedon ishte trajneri Armando Cungu, i cili rebeloi në mënyrën e tij për ferrin 90-minutësh që përjetoi. Edhe pse zemërimi i tij ishte disi i kontrolluar, po të mendosh vdekjen e ekipit në lojë dhe ndëshkimin me goleadë, prapëseprapë, çudia më e madhe nuk paska ndodhur në fushë. Këto ditë, kur është bërë “videoanaliza”, më shumë e sjelljes së trajnerit sesa e futbollistëve që lëshuan hije të zbehtë në fushë, del se Cungu ka prishur ritualin, skemën e sjelljes klasike, të një trajneri që ka si zot presidentin dhe jo veten.

Dëgjoni fjalët më të freskëta të trajnerit dhe të kuptoni se deri ku shkon liria e trajnerit për të qortuar një ekip, që më shumë se një dorë me gola, pësoi vdekje klinike në fushë. “Kush tha se kam përmendur emra futbollistësh që kanë peshën më të madhe për këtë humbje?”. Jo vetëm Kukësi, por të gjitha klubet që kanë provuar shijen e humbjeve të mëdha kanë mësuar leksionin e artë nga ekipi mëmë, tamam nga Kombëtarja, se për disa disfata të spikatura nuk dihen shkaqet se nga vijnë, nga toka apo nga qielli. Nuk është as punë futbollistësh, as punë trajneri. Pale t’iu çojë mendja te presidentët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"