“Kujdes Partizanin, u prish punë bardhebluve”, Zhegu: Titullin e merr Tirana, Egbo “shkollë” e El Saedit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 18:47

“Kujdes Partizanin, u prish punë bardhebluve”, Zhegu: Titullin e merr Tirana, Egbo “shkollë” e El Saedit

Për të gjithë, tifozë të Tironës, Partizanit dhe Dinamos, emri i Hamdi Zhegut do të thotë shumë. Ish-drejtor i stadiumit “Selman Stërmasi” për 20 vite, Diu siç i thërrasin të gjithë, është një nga ata që tavolinën di ta mbajë si rrallëkush. Me humorin, batutën, por mbi të gjitha rrëfimin brilant, Hamdi Zhegu, në çdo moment të flet për të kaluarën, duke e gërshetuar me të tashmen. Rrëfimet e tij për faqet e lavdishme të Tiranës janë për një libër disavëllimësh. Pikërisht dje, Diu ka qenë në “Skënder Halili” për të ndjekur mikun e tij Emanuel Egbo. Thotë se ai është shkollë e vjetër dhe pikërisht për këtë do të ketë sukses te Tirana dhe jo vetëm.ggh-470x277

Egbo – Për Emanuel Egbonë thotë se e ka njohur i pari kur erdhi në Shqipëri. “Para 20 viteve kam shkuar me Benzin në Rinas dhe e kam marrë Egbonë e kam sjellë në kryeqytet. Vinte nga Egjipti. Djalë model si atëherë dhe tani. Le t’u mbetet të gjithëve hatri, por Egbonë e ka ‘dërguar’ El Saedi pas 20 viteve. Është produkti i El Saedit dhe ky djalë po na sjell rezultatet te Tirana për të lumturuar tifozërinë bardheblu”, u shpreh në fillim Zhegu.

Titujt – Dy fjalë për titujt e Tiranës, shumë prej të cilëve në njëfarë mënyre kanë kaluar edhe prej tij, pasi prej 1997-ës Diu ishte drejtori i stadiumit. “Çdo titull ishte fenomenal. Kemi fituar një titull, mes shumë vështirësive. Çfarë të them. Kam parë ndeshje të frikshme. Njëra prej tyre në Burrel ku hidheshin granata pas stadiumit, këtej luhej ndeshja, që 10 minuta nga fundi u ndal. Aman janë histori të shkuara. Atëherë titulli vendosej jashtë fushe, ndërsa tani mund të fitosh në çdo fushë jashtë. Futbolli ka ndryshuar shumë. Ky ishte realiteti në kohën tonë”, thotë Zhegu.EGBO

Derbi – Po cilat ndeshje derbi kanë qenë më të bukurat dhe ka ndonjë në veçanti që Zhegu e veçon. “Ka shumë ndeshje të mëdha Tirona-Partizani. Po unë nuk e veçoj Dinamon se edhe ajo ka bërë histori në atë stadium. Gjithmonë ndeshjet Tirana-Partizani bëheshin të bukura në kohën e Bert Xhanit, por edhe me Dinamo me Besnik Sulajn. Të gjithë derbet kanë qenë të bukura. Më të bukura janë ato që ka fituar Tirana”, është shprehur më tej ish-drejtori i stadiumit.

Rezultati – Nuk ka tifoz bardheblu që nuk do fitoren e Tiranës. Në këtë linjë është edhe Hamdi Zhegu. Në thelb kërkon fitoren e bardhebuve, por nga ana tjetër thotë se në të tilla sfida është më mirë të mos humbësh. “Tiranën dhe Partizanin i ka përndjekur një histori e çuditshme. Gjithmonë i kanë bërë dëm njëra-tjetrës kur u duhej të fitonin diçka të rëndësishme. E ka pësuar Tirana dhe Partizani. Këtë derbi dua që ta fitojë Tirana, ose më saktë e mira është që të mos humbasë. Me një rezultat pozitiv është pretendenti për të dalë kampion”, pohoi Diu.ngo tirana partizani

Pianoja – Në fund, Hamdi Zhegu sqaroi edhe çështjen e famshme të pianos që Tefik Osmani e thotë lart e poshtë, për të sulmuar ndonjë ish. “Nuk merrem me batuta, por në stadium s’ka pasur piano. Kronometra dhe ca buste e postera të Leninit kam gjetur. Gjë tjetër në stadium s’ka pasur”, mbyll me batutë Hamdi Zhegu. Ky i fundit vlerëson “Air Albanian”, por thotë se bari i fushës nuk është nga më i miri. Do të ishte më mirë sikur federata të investonte në cilësinë e barit dhe jo në sistemin e ngrohjes së barit. Drejtori shpreson që një ditë edhe “Selman Stërmasi” të kthehet modern ashtu siç pati fatin “Air Albania”.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"