“Kujdes, në Shqipëri ndodhin çudira”, kapiteni i Apolonisë largon euforinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2019 | 23:09

“Kujdes, në Shqipëri ndodhin çudira”, kapiteni i Apolonisë largon euforinë

Në 4 miqësore të zhvilluara gjatë kësaj vere, Apolonia ka regjistruar këtë bilanc: 1 fitore (Bylis-Apolonia 0-1), 1 barazim (Oriku-Apolonia 1-1) dhe 2 humbje (Bylis-Apolonia 3-1, Luftëtari-Apolonia 1-0). Katër teste në transfertë, si shkak i shtrimit të tapetit të ri në stadiumin “Loni Papuçiu”.

hysenshahaj

Ndeshje që i kanë shërbyer stafit teknik të Apolonisë, ca më tepër që 3 prej tyre janë zhvilluar ndaj ekipeve të Superligës, si dhe 1 ndaj Orikut. Nëse porta është e blinduar me Çakon dhe Harizajn dhe mesfusha ka shumë alternativa, mbrojtja dhe sulmi mbeten shqetësim për fierakët. Prapavija ende nuk ka lojtarë “natyralë” për çdo pozicion, ndërsa sulmi shfaq përherë probleme finalizimi.

Trajneri Mërgjyshi është i prirë ndaj lojës sulmuese dhe statistikat e tregojnë qartë që Apolonia më shënuese e 4 sezoneve të fundit, është ajo e drejtuar nga kryeqytetasi. Branica është “basti” i sezonit për të sjellë golat e munguar në skuadër, por peqinasi ka edhe të tjerë lojtarë që e njohin mirë portën, si Mihana, Hysenshahaj, Sharavolli, Gjata dhe K.Mehmeti.

HYSENSHAHAJ – Taulant Hysenshahaj, kapiteni i Apolonisë, nuk di të bëjë kompromise. “Nuk jam kundër asaj që Apolonia pritet të jetë pretendente kryesore për Grupin B, por jo ta bëjmë si fakt të kryer, – e nis kapiteni fierak. – Gjasat janë optimiste, por vetëm kaq, sepse jemi ende herët. Ndonjëherë na dëmtojnë ngutjet drejt objektivave, pa pasur ende skuadrën e duhur. Jo se nuk e synojmë Superligën, por le ta themi në kohën e duhur, kur të kemi skuadrën e formatuar totalisht.

Apolonia-Tomori

Le të rrimë me këmbë në tokë për momentin, pasi në Shqipëri ndodhin çudira brenda një nate dhe një skuadër që nuk e mendon, për 24 orë të shfaqet befas pretendente, edhe pse mund të dukej modeste gjer në atë kohë. Duhet të jemi më të qetë, të presim dhe të shohim. Kjo nuk do të thotë se dyshojmë te përforcimet dhe prurjet cilësore, pasi jemi ndër klubet më serioze të futbollit shqiptar, por le të presim. Skuadra jonë? Është në rrugën e duhur, kemi një trajner ekspert në drejtim, ndaj edhe optimizmin shpesh pa dashje e kalojmë në eufori”.

Numri 10 i Apolonisë jep edhe një opinion disi të rezervuar për rivalët e kampionatit të ardhshëm. “E thashë, njësoj si kudo, situata mund të ndryshojë në çdo çast, edhe në limite të merkatos. Gjer tani shoh si rivale kryesore këto skuadra: Lushnjën, sepse ka lojtarë me përvojë në përbërje dhe është e fundit skuadër që ka qenë në Superligë nga grupi ynë; Besën, që i është shtuar ‘oreksi’ nga sezoni i kaluar dhe Pogradeci, një ekip gjithmonë simpatik dhe i fortë për këto nivele”, thotë Hysenshahaj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"