Kualifikohet Tirana, Bakaj shmang humbjen

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Tetor 23, 2014 | 20:57

Kualifikohet Tirana, Bakaj shmang humbjen

Tirana-Sopoti  1-1

Tirana-Sopoti 1-1

TIRANA-SOPOTI   1-1
GOLAT: El.Bakaj 65’/ Bajrami 14′
TIRANA: Ed.Bakaj, Pashaj, Bulku, Gavazaj, Domgjoni (Kalari 31′), Kërçiku, Malaj, Hyshmeri, El.Bakaj, Halili (Morina 46′), Kagere (Taku 46′); Trajner: G.Magani.
SOPOTI: Leka (Shtrepi 46′), Hoxha, Kullolli, Duro, Halilaj, Karaj, Myftaraj (Lezi 46′), Çekoja (Polisi 46′), Elezi, Bajrami, Iliazi; Trajner: G.Stojku.
KARTON I VERDHË: Hoxha 50′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan)
GJYQTARË: O.Kuka, E.Morina, D.Tomorri (Tiranë)

Tirana barazon me Sopotin në “Selman Stërmasi”. Megjithatë, ky rezultat nuk i ka komplikuar objektivat bardhebluve, të cilët kalojnë në turin e dytë me rezultatin final 4-1 (pas fitores 0-3 në ndeshjen e parë në Cërrik). Stadiumi i boshatisur dhe mungesa e motivimit, është shoqëruar me një lojë nën nivelin mesatar dhe pa grintë. Kryeqytetasit zbritën në fushë me një formacion të alternuar, ku nuk mungonin titullarët, por nga ana tjetër iu dha mundësia edhe atyre që nuk kanë pasur fort hapësira. Sakaq, miqtë edhe pse pa pretendime në kupë, u treguan dinjitozë në fushën e lojës, aq sa e vunë disa herë në vështirësi Tiranën.
Pjesa e parë Ndeshja nis qetë dhe me skuadrat që mundoheshin të fitonin terren ndaj njëratjetrës. Mungojnë rastet, e megjithatë Sopoti mik shumë shpjet shfaqet i rrezikshëm në portën e vendësve. E në të 14-n gjejnë golin, teksa Myftaraj merr krahun e majtë, kroson në zonë, atje ku Bajrami ishte i pambuluar nga mbrojtja dhe nuk e ka të vështirë që ta dërgojë topin në rrjetë, dhe 0-1. Ky gol gjen të papërgatitur vendësit, të cilët kurrsesi nuk mund të pranonin një rezultat të tillë, e për pasojë shtohen sulmet. Rast i rrezikshëm ishte ai në 24′, teksa Kagere, i vetëm përballë portierit, gjuan vetëm atje ku portieri mund të kontrollonte topin me lehtësi. Dy minuta më vonë, Kërçiku i kroson në zonë, Kagere provon me kokë, por portieri pret. Bardheblutë shtojnë presionin në zonën e miqve, teksa në të 31′ i riu Halili kthen një top për Bulkun, që godet nga jashtë zone, por nuk finalizon. Është sërish Halili protagonist në të 39-n, teksa kroson në zonë, atje ku ndodhej Kagere. Afrikani gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin. Pjesa e parë mbyllet këtu.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis me ndryshime në të dyja kampet. Magani shton forcat në sulm, teksa aktivizon Morinën, por fut edhe Takun, duke lëvizur kështu edhe skemën. Sopoti nga ana tjetër i ezauron të tria zëvendësimet. Bardheblutë shfaqen më rrezikshëm në këtë fraksion, dhe kjo duket qartë nga rastet e krijuara. Në të 53-n Kalari rrezikon nga jashtë zone, por portieri Shterpi, i sapofutur në fushë, kontrollon edhe pse me vështirësi. Në të 65-n përpjekjet e Tiranës gjejnë rezultat. Aksion i gjatë, Bakaj merr një top nga krahët, gjuan nga jashtë zone dhe barazon shifrat në 1-1. Tentativat shtohen, teksa pas dy minutash një goditje këndi e Kalarit, për pak sa nuk shkon në rrjetë, por portieri mik pret në dy kohë. Provojnë në të 71-n, 74-n dhe 84- n Gavazaj, Bulku e Malaj, por në të tria rastet portieri e ruan të paprekur portën. Tirana mbyll kështu me shifrat 1-1 këtë takim, teksa në turin.

“Na mungoi qetësia, euforia na dëmton”
Gugash Magani konfirmoi edhe një herë frikën që ka nga euforia, teksa për mediat tha: “Me përjashtim të 20 minutave të para, ku kemi pësuar edhe golin, pjesa tjetër e ndeshjes ka folur për ne. Kemi dalë shumë herë përpara portës së kundërshtarit, por na ka munguar qetësia e duhur dhe saktësia. Kjo vjen edhe për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë, megjithatë diçka e tillë nuk duhet të ndodhë. Ajo që dua të theksoj është se pas fitores me Kukësin, u duk sikur kishim fituar kampionatin . Ndaj e rithem që skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe duhet të djersijë shumë në fushën e lojës, pavarësisht se kush është kundërshtari. Dua të komplimentoj skuadrën kundërshtare për seriozitetin që tregoi në fushë”.

“Paraqitje dinjitoze, ishte provë me vlera
Gentjan Stojku u shfaq i kënaqur me lojën e të tijve, ndonëse Sopoti ishte pa objektiva në këtë kompeticion. “Për ne nuk ka qenë objektiv kalimi i turit, duke ditur që ndaj Tiranës nuk mund as të provonim diçka të tillë. Prandaj kemi menduar që në të dyja ndeshjet të luajë vetëm një pjesë e vogël e skuadrës së parë, për t’u dhënë hapësirë edhe lojtarëve që nuk kanë shumë minuta në kampionat. Jam i kënaqur me atë që tregoi skuadra në fushën e lojës. Mund të them se një ndeshje e tillë është një sinjal edhe për kundërshtarët tanë, megjithatë jam i fokusuar vetëm te ndeshja e radhës dhe çdo gjë tjetër le të mbetet për t’u parë me kalimin e kohës, në lidhje me objektivat finalë të skuadrës”, tha trajneri elbasanas i Sopotit.
ADELA MERKO






www.minuta90.com