Kualifikimi në xhep, Dovedan hedh sot në fushë “të pakënaqurit” e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 10:27

Kualifikimi në xhep, Dovedan hedh sot në fushë “të pakënaqurit” e Bylisit

Bylisi do të luajë sot ndeshjen e kthimit ndaj Pogradecit, e cila duket formale, për faktin se në sfidën e parë ballshiotët fituan 4- 0, duke e siguruar kualifikimin që atje.

bylis kukesi

E megjithatë, trajneri Vejlko Dovedan kërkon nga skuadra që edhe në sfidën që do të zhvillojë sot, të marrë fitoren. Duke parë edhe rezultatin e sfidës së parë, Dovedan pritet të hedhë në fushën e lojës lojtarët të cilët kanë qenë në stol, por edhe ata që nuk janë aktivizuar në javët e fundit në kampionat, për të marrë minuta, por edhe për të kapur formën fizike.

Emra si Miraka, Janku, Ndreca, Hadroj, Aliaj, Ujka, Opoku, Barjamaj, Celis, Mishel e ndonjë tjetër nga skuadra U-19 do të kenë hapësira. Pra është thuajse një formacion tjetër, mes tyre edhe emra lojtarësh që janë afruar me bujë gjatë merkatos së verës nga presidenca ballshiote. Siç dihet, Bylisi krahas kampionatit synon që edhe në Kupën e Shqipërisë të shkojë sa më larg.

Gjasat janë që në turin e dytë të luajë kundër Laçit, ashtu siç ndodhi edhe edicionin e kaluar. Ndërkohë, ndeshja e sotme ndaj Pogradecit nuk do të luhet në stadiumin “Adush Muça”, por në aneksin stërvitor të Bylisit, i ndërtuar gjatë vitit të kaluar. Bylisi është në vendin e parë në renditje dhe kjo nuk ndodh prej 21 vitesh, prandaj dhe të gjithë janë optimistë në Ballsh se ky sezon do të jetë i suksesshëm. Në kampionat ka dy transferta radhazi, fillimisht të dielën me Laçin e më pas me Luftëtarin.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"