Kualifikimi në Ligën e Europës i vështirë, zbulohet kërkesa e Egbosë për presidentin Halili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 22:00

Kualifikimi në Ligën e Europës i vështirë, zbulohet kërkesa e Egbosë për presidentin Halili

Emanuel Egbo u ka kërkuar drejtuesve të Tiranës blerje cilësore që skuadra të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League-s. Trajneri indirekt i ka dërguar fjalë presidentit Refik Halili se me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion është e pamundur që ekipi të përballojë Europën paçka se cili është kundërshtari. Sipas Egbosë, për të luajtur në kampionat dhe në fazën e grupeve duhen lojtarë të mirë që të bëjnë diferencën. Problemi kryesor i skuadrës është sulmi dhe më saktë sulmuesit e krahëve.
Egbo Tirana
Edhe pse janë afruar disa lojtarë afrikanë, mes të cilëve edhe sulmuesi Derrik Sasraku, asnjë prej lojtarëve nuk po e ngroh Egbonë. Edhe Danso që pritet të vijë këto ditë është një e panjohur, pasi mund të ndodhë që gjendja e tij të jetë e njëjtë me afrikanët e tjerë që kanë ardhur në Tiranë. Shkurt, Zoti nuk mund të ndihmojë nëse nuk ndihmon veten dhe Tirana në këtë moment që flasim grupin e ka të paplotë. Ndonëse dy ndeshjet e Champions-it kanë treguar se skuadra është mirë, një iluzion i tillë duhet të hiqet nga mendjet e të gjithëve. Egbo kërkon lojtarë që të përballojnë sfidat që ka përpara, kampionatin dhe Europën.

QËLLIMI – Tirana, në fakt, do të afrojë edhe një sulmues qendror apo edhe një sulmues krahu që luan në çdo pozicion përpara. Bëhet fjalë për Dansonë. Gjithsesi, drejtuesit e skuadrës me në krye Refik Halilin janë hedhur në sulm për të afruar një lojtar tjetër që të garantojë gola. Prej kohësh bardheblutë i kanë ofruar një marrëveshje Dejvi Bregut, por ish-sulmuesi i Skënderbeut ka refuzuar ofertat e Tiranës.

Edhe dy ditët e fundit ka pasur një tentativë për të afruar lojtarin, por gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Edhe “kartat” Abazaj-Shkurtaj janë djegur dhe gjasat janë që në fund, Tirana të kthejë në ekip Majkëll Ngonë. Sigurisht te bardheblutë bëjnë be që anglezi nuk vjen te Tirana, por kjo mbetet për t’u parë, pasi edhe vitin e shkuar Ngoja erdhi kur faza përgatitore pothuajse ishte mbyllur. Nga ana tjetër, Tirana duhet të ketë shumë kujdes me dëmtimet. Aktualisht që flasim janë me shqetësime Sasraku, Batha dhe Hoxhallari.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"