“Kualifikimi në Kupë ishte detyrim”, Martini: Kampionati, njësoj si vitin e kaluar! Ndaj Skënderbeut mund të fitosh, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2021 | 14:22

“Kualifikimi në Kupë ishte detyrim”, Martini: Kampionati, njësoj si vitin e kaluar! Ndaj Skënderbeut mund të fitosh, por…

Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Skënderbeut, e cila do të zhvillohet në orën 13:45, në stadiumin e qytetit të Kamzës, e vlefshme për javën e 9 në Kategorinë Superiore, përpara mediave është shfaqur trajneri i Teutës, i cili ka analizuar këtë takim:

EDI MARTINI

Kualifikimi në Kupë – “Ishte detyrim kualifikimi në çerekfinale, kishim fituar ndeshjen e parë. Luajtëm me gjysmë ekipi dhe jam i kënaqur, pasi na shërbente për ndeshjen e kampionatit. Pushimi na ka shërbyer për anën fizike, por kemi disa lojtarë të dëmtuar dhe na ka penguar në stërvitje”

Skënderbeu – “Ekipet janë aty-aty, edhe pse Skënderbeu është poshtë në renditje. Mos të harrojmë që javën e fundit ata fituan me Kukësin dhe kanë bërë ndeshje të mirë. Një lojtar të mungojë është shumë, jo më pesë. Gjithsesi jam i bindur që edhe ata që do të luajnë do t’i zëvendësojnë ata që mungojnë më së miri”.

Ndeshja ndaj Skënderbeut – “Është ndeshje e fortë me Skënderbeun. Mund të fitosh, por goleada nuk mund të ketë. Synimi është të fitojmë dhe do e kërkojmë nga fillimi në fund këtë gjë. E kam thënë edhe më parë që po kalojmë një tranzicion. Ekip do ringrihet fizikisht dhe do jemi në rrugën e duhur”.

Formacioni – “Normalisht e kam formacionin në kokë, pasi mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël. Nuk kam shumë rrugëdalje, por gjithsesi e kam të qartë si do luajmë”.

Rivaliteti – “Kampionati sivjet është njëlloj si vjet. Vjet ishte Vllaznia që iku pas një faze përgatitore 3-mujore, kurse ne ishim në kupat e Europës. E morëm veten më vonë, E njëjta gjë po ndodh me Tiranën, kurse ne në Europë. Normal do ketë luhatje. Gjithsesi unë shpresoj që të bëjmë kampionatin e vjetshëm”, përfundoi Edi Martini.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"