Kualifikimi mision i pamundur, Luftëtari kërkon fitore për të shlyer “mëkatet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 15:42

Kualifikimi mision i pamundur, Luftëtari kërkon fitore për të shlyer “mëkatet”

Luftëtari do vetëm fitore ndaj Ventspils. Milosh Kostiç ua ka bërë të qartë lojtarëve, se ka ardhur koha e kthesës. Ndoshta përmbysja e rezultatit është gati-gati e pamundur, por trajneri kërkon që të paktën skuadra të reagojë në lojë. Triumfi do të ishte ngushëllues për gjirokastritët dhe sidomos pas asaj humbjeje turpëruese, që pësuan një javë më parë në Letoni. Pesë golat që morën në 45 minuta e para nuk mund të harrohen kurrsesi lehtë prej bluzinjve, e megjithatë, një rezultat pozitiv në “Elbasan Arena” mund të shlyente në një lloj forme… “mëkatet”.

luftetari

Të ndërgjegjshëm për koeficientin e lartë të vështirësisë që mbart kjo ndeshje, po punohet jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në aspektin psikologjik. Kjo u pa qartazi edhe dje, ndërsa treshja Kostiç-Bonjotiç-Kolciadhis u ndal gjerësisht te kjo pjesë. Në analizën e zakonshme që zhvillohet para çdo stërvitjeje, numri një i stolit u kërkoi lojtarëve përqendrim, zbatim të detyrave të dhëna dhe mbi të gjitha qetësi. Pas porosive të dhëna, vëmendja u zhvendos në stërvitje. Seanca nisi me disa ushtrime shtrydhëse dhe ato me topin. Trajneri evitoi zhvillimin e lojës brenda grupit, duke lënë në një farë mënyre edhe dyshime për 11-shen që mund ta nisë nga minuta e parë, por preferoi kuadratet. Pas më shumë se gjysmë ore, lojtarët u vendosën nën urdhrat e përgatitësit atletik, Kostas Kolciadhis, duke kryer vrapime të shkurtra dhe të gjata, të shoqëruara këto dhe me ushtrime aerobike.

luftetariii

LAMÇJA
– Eri Lamçja mund të ishte një armë plus për Luftëtarin në Europë përsa i përket sulmit, por palët zgjidhën marrëveshjen me konsensus. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi shpreh falënderime për skuadrën, ku kaloi dy sezone si pjesë e tyre dhe zbulon diçka nga e ardhmja e tij. “Dua të falënderoj ekipin dhe stafin drejtues për dy sezone që isha pjesë e Luftëtarit. Nuk jam larguar me pishmane dhe për aq kohë sa isha pjesë e skuadrës, dhashë gjithnjë maksimumin. I uroj suksese ekipit në vazhdim dhe shpresoj të arrijë objektivat që i ka vënë vetes. Në lidhje me të ardhmen time, mendoj se brenda këtyre ditëve do ta zgjidh këtë çështje. Me shumë mundësi do të jem pjesë e Superiores, por kam pasur oferta edhe jashtë vendit në kampionatin italian, që do t’i shqyrtoj me kujdes”, tha Lamçja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"