Kualifikim me vuajtje i Portugalisë, Ronaldo, tani je një… “99”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 18:22

Kualifikim me vuajtje i Portugalisë, Ronaldo, tani je një… “99”

Kampionët e Europës ruajnë kurorën e tyre. Portugalia mposhti 2-0 Luksemburgun dhe garantoi pjesëmarrjen e saj në “Euro 2020”. 

kristiano ronaldo

Golat e Bruno Fernandeshit pranë fundit të pjesës së parë dhe Kristiano Ronaldos në të 86- ën siguruan 3 pikët për luzitanët, të cilët vuajtën shumë për të marrë tri pikët dhe për të prerë biletën për në raundin e ardhshëm. Skuadra e Kristiano Ronaldos siguroi vendin e dytë në grup, 2 pikë pas Ukrainës dhe 1 pikë mbi Serbinë, skuadra të cilat barazuan 2-2 dhe e detyruan Portugalinë që të “dridhej” deri në momentet e fundit.

Kristiano Ronaldo shënoi golin e 99-të me kombëtaren e tij. Portugalia, e cila deri në vitin 2000 kishte qenë vetëm në dy Europiane dhe dy Botërorë është shndërruar në një skuadër pretendente. Në shekullin e fundit, luzitanët nuk kanë humbur asnjë prezencë në finalet e këtyre kompeticioneve të rëndësishme dhe në verën e ardhshme do të luftojnë për të mbrojtur fronin e dyfishtë të Europës, Europianin e fituar në vitin 2016 dhe Ligën e Kombeve të fituar në vitin 2019.

Kjo është pjesa e bukur, por pa dyshim që pasditja e djeshme nuk ishte aspak e lehtë për skuadrën e Fernando Santosit. Në stadiumin e Luksemburgut kishte shumë emigrantë portugezë, të cilët donin të shihnin nga afër Kristiano Ronaldon që bënte diçka historike. Me 98 gola të shënuar, yllit të Juventusit i duheshin edhe 2 të tjerë për të arritur 100 gola me kombëtaren e Portugalisë. Nuk ia doli këtë herë, por ndoshta në miqësoret para Europianit mund ta sigurojë këtë mision. Terreni i vështirë i fushës ia bëri të vështirë jetën Kristiano Ronaldos. Shumë pak futboll sulmues dhe me cilësi.

REKORDET– Me golin e shënuar ditën e djeshme, Kristiano arriti në kuotën e 11 golave në këto eliminatore të Europianit duke barazuar Zahavin dhe Kejnin. Nëse ai do të marrë pjesë në Europianin 2020 (nuk ka asnjë dyshim që do të jetë), atëherë do të jetë lojtari i parë në histori që luan 5 finale të këtij kompeticioni kontinental me kombëtaren. Kasijas ka qenë i grumbulluar, por nuk ia ka dalë të luajë as në vitin 2000, as në vitin 2016.

NDESHJA– U kuptua që në start se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë për Portugalinë. Luksemburgu qëndronte në mbrojtje dhe ia bënte të vështirë gjetjen e golit Portugalisë. Praktikisht nuk e vuri kurrë në rrezik portën e Moris në 40 minutat e para, ndërsa Luksemburgu rrezikoi disa herë kuadratin e Rui Patrisios. Këta të fundit nuk kishin cilësi për ta dërguar topin në rrjetë. Në mungesë të lojës kolektive, Portugalia nxori në pah kualitetin individual. Bernardo Silva pasoi për Bruno Fernandeshin dhe ky i fundit me një goditje të fortë e ndal në rrjetë. Ishte asisti i pestë i lojtarit të Sitit në këtë kompeticion. Pjesa e dytë ishte e njëjtë me atë të parën dhe në fundin e ndeshjes u shfaq Ronaldo që shtyu topin në rrjetë. Portugalia në finalet e Eutopianit. Kristiano nuk zhgënjen kurrë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"