Kualifikim me detyrim-përcaktim, presion te Partizani! Luhet për të hequr edhe …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 11:00

Kualifikim me detyrim-përcaktim, presion te Partizani! Luhet për të hequr edhe …

Partizani ka hyrë në javën e së vërtetës. Nga rezultatet e dy ndeshjeve që luajnë këtë javë, të mërkurën në Kupë ndaj Besëlidhjes dhe më pas transfretën e Laçit për kampionat, nis të orientohet trajektorja e të kuqve për objektivat sezonalë. 

pARTIZANI 3-0

Partizani nesër është përpara një misioni shumë të vështirë, pasi i duhet të përmbysë humbjen 3-0 të para dy javëve në Lezhë. Për disa arsye, kualifikimi në Kupë ndaj Besëlidhjes është kthyer në detyrim-përcaktim për “demat”. Së pari, kualifikimi kërkohet për të përmbushur objektivin që ka klubi në këtë veprimtari.

Së dyti, duhet që të kuqtë të kthejnë imazhin pozitiv, për të shmangur turpin e eliminimit nga një kundërshtar i Kategorisë së Parë. Së treti, por që mund të jetë edhe primari, kualifikimi është edhe një mundësi që lojtarët mund ta shfrytëzojnë për të zbutur inatin e presidentit Gaz Demi, i cili i ndëshkoi me një rrogë gjobë pas humbjes 3-0 në ndeshjen e para dy javëve në Lezhë.

Partizani miqesorja

Nga dje të kuqtë kanë nisur punën për përmbushjen e këtij misioni, ku gjithçka filloi me një analizë të trajnerit Sormani. Trajneri italian e ka shkundur skuadrën dhe u ka përsëritur lojtarëve edhe njëherë rëndësinë që ka sfida e Kupës me Besëlidhjen, si dhe u ka kërkuar me çdo kusht që të jenë sa më perfekt në fushë dhe të kualifikohen. Trajneri  ka kërkuar nga ekipi që turpin që përjetuan në Lezhë ta fshijnë menjëherë dhe ta shfrytëzojnë mundësinë që kanë nesër në përballjen me Besëlidhjen.

partizani

Duke ditur rëndësinë e kësaj sfide, ku duhen shënuar mbi tre gola, trajneri ka kërkuar që ndeshja të luhet në një stadium me fushë me bar natyral. Klubi ia ka realizuar dëshirën trajnerit duke i zgjedhur një nga stadiumet më të mira në Shqipëri, kështu që “demat” nuk kanë asnjë alibi apo justifikim, ndaj kualifikimi është detyrim.

Të kuqtë vijnë me moral të përmirësuar në këtë sfidë, pasi kanë fituar dy ndeshje radhazi në kampionat. Por ankthi vazhdon të mbetet te Partizani, ndaj kualifikimi në Kupë shikohet si një shkëndijë për rikthimin e vërtetë të kampionëve. Nëse Partizani kalon me sukses 4 ndeshjet që ka në shkurt, me Besëlidhjen në Kupë, Laçin, Bylisin dhe Tiranën në kampionat, atëherë mund të thuhet se dy trofetë janë të arritshëm.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"