Ku janë golat? Të presim te Skënderbeu, profesor Oto Bariç…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 20:24

Ku janë golat? Të presim te Skënderbeu, profesor Oto Bariç…

GËZIM SINEMATI

Gezim SinematiOto Bariç, “plakushin” që e përcollëm me lulet e tradhtisë nga Kombëtarja, kur gati ia kishim harruar edhe zërin, ka dhënë një deklaratë që duket e thjeshtë në pamje të parë. Shkak është bërë Skënderbeu që u ka prishur gjumin kroatëve dhe terezinë e kujtimeve trajnerit të moçëm.

“Kur unë isha trajneri i Dinamos së Zagrebit, ne u bënim klubeve shqiptare 7 apo 8 gola. Madje edhe kur luaja me skuadra të tjera kundër shqiptarëve, fundi ka qenë i njëjtë”. Askush nuk dyshon te fjalët e profesor Otos, ngaqë të gjithëve na dhemb “kolona” nga pesha e golave që mbajmë në kurriz, por ish-trajneri kuqezi, sapo prek temën provokuese të golave me shumicë, si në një lojë bilardo, bilat e kujtesës shtyjnë njëra-tjetrën në drejtim të gropës.

Si mund ta harrojmë ndeshjen në Rumani, kur Bariç ishte trajner i Kombëtares dhe 6 golat që mblodhëm në portën tonë më shumë ia faturuam trajnerit sesa futbollistëve, heronjve që “ndihmuan” trajnerin e tyre të bënte gati valixhen natën dhe jo ditën. U pëlqen apo s’u pëlqen kroatëve, në këtë rast golat i kanë pësuar ata, sepse trajneri kur iku, i mori golat për vete, pa i ndarë sipas stilit të tij kur njerëzit e fushës e tradhtonin.

baric2

Ju kujtohet dikur, shumë vite më parë, kur linim takim te vendi i shenjtë në Tiranë te “busti i Skënderbeut”? Tani, si një kapriço e fatit, takimi i mallshëm me ish-trajnerin bëhet tamam te Skënderbeu. Në këtë rast nuk është bust, por një ekip që po lufton kundër të gjithëve për të pasur një bust modest, që të kujtohet më shumë për mirë sesa për keq.

Ndaj edhe komenti i kroatit “të lashtë”, Oto Bariç, për ndeshjen e parë me Dinamon e Zagrebit, mbetej peng i keqardhjes ku munguan golat tradicionalë në portën shqiptare, aq i zhgënjyer nga Dinamo pa dhëmbë, sa nuk mundi të kujtonte faktin kokëfortë se Skënderbeu i bëri të lumtur me barazimin në fund, tamam sikur të kishin fituar me… shumë gola, si dikur.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"